Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, një person mbeti i vrarë dhe një i plagosur në dalje të qytetit të Prizrenit. 31 vjeçari Visart Cengu nga Kukësi, po dyshohet se u vra nga Dibran Hoxhaj i njohur me nofkën “Kobra”. Vrasja ndodhi për motive të ulëta. Prokuroria e Prizrenit ngriti dyshimet e para se një faturë në vlerë të 400 eurove ishte shkas për përleshjen fizike që nisi në lokalin “Kobra City”, në pronësi të Dibran Hoxhajt.
Vrasja thuhet se është kryer në orët e para të mëngjesit përkatësisht rreth orës 4:00.
Gazeta Insajderi nga burime të sigurta ka mësuar se Hoxhaj një orë më herët kishte qenë në klubin e natës “Stop” në qytetin e GjIanit.
I njëjti, rreth orës 2:51 ka dalë nga ky lokal. Burimet e Insajderit bëjnë të ditur se policia ka qenë në klubin ku ai ka qëndruar dhe ka marrë dëshmitë përkatëse.
Kujtojmë se sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur seanca ndaj Dibran Hoxhajt i njohur me nofkën “Kobra” dhe pesë të tjerëve të dyshuar për rastin e vrasjes së shtetasit të Shqipërisë, këtë të martë në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren ka dorëzuar kërkesën për caktimin e paraburgimit për Dibran Hoxhën në në Gjykatën Themelore në Prizren.
E njëjta pritet të ndërmirret nga gjykata brenda të mërkurës së katër janarit.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar avokati i Hoxhës, Nexhat Elshani.
“Seanca ka përfundu brenda 1 ore diku del edhe vendimi nga Gjykata”, tha shkurt për Insajderin ai. /Gazeta Insajderi