
Kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit nga radhët e PSD-së, Natyra Kuqi, ka publikuar një reagim të ashpër ndaj pushtetit aktual në këtë komunë, duke akuzuar vëllain e kryetarit Bashkim Ramosaj për kërcënime ndaj kundërshtarëve politikë.
Në një postim publik, Kuqi ka bërë të ditur se gjatë kohës sa ishte live në emision në T7, Bashkim Ramosaj, vëllai i kryetarit të Deçanit, kishte kërcënuar hapur kandidatin për Asamble nga PSD-ja, Behar Retkocerin, përmes një mesazhi.
“Kjo është fytyra e pushtetit në Deçan. Kryetari le që i përdor krejt resurset e komunës për t’i pasuruar vëllezërit e tij, por edhe i përdor vëllezërit për të kërcënuar ata që guxojnë ta kritikojnë”, ka shkruar Kuqi.
Sipas saj, koha e kërcënimeve ka përfunduar në Deçan, ndërsa qytetarët nuk i frikësohen më askujt.
“Deçani nuk i ka frikë as borxh askujt. E ata që po e ndjejnë pushtetin që po u rrëshqet nën këmbë, po i qesin shkelmat e fundit. Për ty, jo për vllazni!”, përfundon reagimi i saj.