Analisti politik Mentor Nazarko ka folur për frymën e fushatës që po bëhet në Shqipëri për zgjedhjet e 25 prillit.
Ai ka thënë se sondazhet që po bëhen edhe në Shqipëri konvergjojnë në një demonstrim të rritjes se opozitës, njofton Klan Kosova.
“Mendoj që rezultati mes dy kampeve është rezultat i ngushtë. Kur them kampe e kam fjalën në njërën anë PS-ja, pra qeveria dhe koalicioni i PD-së me partitë tjera, plus LSI. Besoj që është i ngushtë, por s’duhet neglizhuar rezistenca e partive të vogla. Ka realitete elektorale të reja”.
Nazarko ka thënë se Lulzim Basha, si kryeopozitar, nuk arriti t’i bashkojë partitë tjera opozitare, prandaj edhe partitë e vogla mund të jenë në dëm të tij.
“Fataliteti i opozitës është që Basha nuk ka arritur të përbashkojë opozitën rreth vetes së tij si udhëheqës i saj. Këto janë parti të pakënaqurish kryesisht nga opozita. S’mund të bësh hesape të mira pa llogaritur ndikimin e partive të vogla. Sistemi ynë është i tillë që këto parti të vogla që hanë 2-3 mijë vota mund të jenë në dëm të opozitës, sepse mund t’ia kalojnë partisë më të madhe”.
Nazarko në Klan Kosova ka thënë se me sondazhe shpesh bëhet edhe lojë për t’i ndikuar votuesit e pavendosur.
Ai për këtë përmendi edhe atë që ndodhi në zgjedhjet e fundit në Kosovë.
Ndërkaq, sondazhi i “Smith Research & Consulting” i publikuar në Klan Kosova e nxjerr Bashën fitues të zgjedhjeve./klankosova.