Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka vendosur të mos flas fare kur bëhet fjalë për bashkimin Kombëtar dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
I pyetur nga gazetarja e Euronews, se si do të votonte Rama nëse do të bëhej një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pasi që, Kurti është përgjigjur me ‘po’, Rama thotë se ai nuk e mendon Albin Kurtin.
“Unë nuk e mendoj Albin Kurtin”, thotë fillimisht Rama.
Gazetarja insiston që ta marr një përgjigje nga ai, teksa i thotë se po e pyet se si do të votonte nëse do të bëhej një referendum, ai thotë se nuk e komenton Kurtin.
“Unë nuk e komentoj Albin Kurtin”, thotë ai. “S’kam koment”, vazhdon tutje Rama.
“Më fut Albin Kurtin në bisedë, koment nga unë s’ka”, e thotë ai me shumë bindje.
“Nuk kam asnjë koment në lidhje me Albin Kurtin deri më 26 prill, pastaj mund të flasim”, vazhdon t’i thotë Rama gazetares, teksa kjo e fundit insiston të marr përgjigje.
Ajo e ndërron pyetjen duke i thënë se a mund ta ketë një përgjigje në lidhje me Bashkimin Kombëtar.
“Nuk kam asnjë koment që lidhet direkt ose indirekt me Albin Kurtin, është një kurth ku unë nuk do të bie”, thotë Rama.
Vazhdon gazetarja duke e pyetur se si i ka marrëdhëniet me Albin Kurtin.
Rama i përgjigjet çuditshëm duke bërë: Ncc, ncc, nccccc./ Insajderi.org