Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të TikTokut në të gjitha institucionet publike.
Lidhur me këtë ka reaguar sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila ka bërë thirrje Qeverisë që krahas këtij vendimi, t’i ndalojë edhe kontratat njëburimore.
Teksa ia përmendi edhe subvencionet për familjarë.
“Ndalohet TikTok-u në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Lajm i mirë ky.Me këtë harxh, ndaloni edhe kontratat njëburimore, shkeljet serike të Kushtetutës, subvencionet për familjarë, etj etj”, shkroi ajo.
Kujtojmë se është raportuar së fundmi se ministri Çeku ka ndarë 257 mijë euro për organizatën që dikur e drejtonte, 255 mijë tjera për OJQ’në e motrës së deputetit të VV’së, Artan Abrashi.
Ndërkohë, Gazeta Insajderi të mërkurën ka raportuar se daja i Faton Pecit, dhe vëllai i kryetarit të Leposaviçit, Lulzim Hetemi, kanë përfituar subvencion 46 mijë euro për ndërtimin e shtëpive të tyre. Këto mjete janë ndarë nga MAPL-ja në kuadër të fondit për ndërtim e renovim shtëpish.