Një vendim i Qeverisë së Kosovës, me të cilin ndalohet futja e librave nga Serbia në Kosovë, është zbatuar së fundi, duke pamundësuar mbajtjen e një panairi të librit në gjuhën serbe në Graçanicë.
Organizatorët fajësuan Qeverinë e Kosovës, të cilën e cilësuan “administratë represive” që “ndalon fëmijët e enklavës serbe të kenë libra në gjuhën e tyre”.
Shtëpia e Kulturës në Graçanicë tha se po e anulon panairin e librit “Vidovdan”, i planifikuar të mbahet ndërmjet 15 qershorit dhe 1 korrikut, me arsyetimin “e ndalesës së futjes së librave në gjuhën serbe në Kosovë”.
“Edhe pse ndalesa e Ministrisë së Qeverisë së Kosovës zyrtarisht vlen vetëm për librat shkollorë në gjuhën serbe, është e qartë se në Kosovë dhe Metohi nuk mund të hyjnë as librat që nuk janë shkollorë”, thuhet në një kumtesë të Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë.
Sipas kumtesës, “kërkesa është paraqitur me kohë fillimisht te Komuna e Graçanicës, e cila që më 8 qershor e ka bartur kërkesën te Ministria e Kulturës, për të mundësuar kalimin e librave pa pengesë në vendkalimin e Jarinës. Ministria e Kulturës më 13 qershor ka deklaruar se nuk është përgjegjëse për të vendosur për këtë”.
Më tej sqarohet se kërkesa i është bartur Ministrisë së Arsimit, e cila ka deklaruar se nuk është “gjithashtu përgjegjëse” duke pamundësuar fillimin e punës së Panairit në afatin e caktuar.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me zëdhënësin e Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili ka thënë se ndalesa e librave në gjuhën serbe për në Kosovë, bëhet në bazë të një vendim që ka lëshuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës.
“Ministria e Arsimit e ka lëshuar një vendim, të njëjtin na e ka përcjellë neve në Dogana, dhe ne të gjitha librat që janë të Serbisë, i ndalojmë. Edhe për këtë panair, nëse kanë qenë libra që ndalohen, është vepruar njëjtë. Ne sistemin e zhdoganimeve është ndalesa për librat që vijnë nga Serbia”, ka sqaruar Stavileci.
Megjithëkëtë, vendimi për moslejimin e futjes së librave nga Serbia në territorin e Kosovës, që rrjedhimisht ka pamundësuar edhe mbajtjen e Panairit në Graçanicë, është vlerësuar nga organizatorët e tij si shkelje të drejtave të qytetarëve të Graçanicës.
Në kumtesën e Shtëpisë së Kulturës, thuhet se Panairi i Librit në Graçanicë është pamundësuar të mbahet pas tre vjet organizimi.
“Një administratë represive ka vendosur që qytetarët e Graçanicës, në sheshin e tyre, të vetëm, nuk mund të kenë rafte të librave, se është shumë e rrezikshme që familjet dhe fëmijët e enklavës të mund të zgjedhin dhe të kenë libra”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nuk u janë përgjigjur telefonatave./REL