×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ndalja e milionave e monopolit të “Ex-Fis”, Ejupi dyshon se u sulmua për këtë arsye

    Insajderi
    02 August 2023 - 21:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi ka deklaruar sot se vazhdimit po shantazhohet, sulmohet e po i bëjnë presion pasi raportoi keqpërdorimet që kishte gjetur në AAC që kur u emërua në pozitën e drejtorit, shkruan Insajderi.

    Dyshohet se kërcënimet në drejtim të Ejupit kanë të bëjnë “monopolin e kerozinës” për avionë, ku ishte e përfshirë kompania “Ex Fis”.

    Në profilin e tij në Facebook, Ejupi ndër të tjera tha se ka raportuar keqpërdorimin me monopolin e shitjes së kerozinës në aeroport, ku si pasojë e shkeljes së ligjit, operatori ekonomik që ishte i kontraktuar kishte përfituar mbi 2 milionë euro.

    AAC ka raportuar thyerjen e ligjit për tarifat e kerozinës, si pasojë e së cilës janë përfituar mbi 2 milionë euro nga operatori ekonomik. Rasti është paraqitur menjëherë nga AAC në komisionin PPP, pasiqë kërkohen hapa të menjëhershëm për të ndaluar thyerjen e ligjit shumë vjeçar në ANP. AAC për herë të parë ka adresuar hapjen e tregut dhe ka sinjalizuar keqpërdorimin me monopolin e shitjes se kerozinës në aeroport“, ka shkruar Ejupi.

    Në vitin 2021, Reporteri kishte raportuar se Kompania “Ex Fis” kishte përfituar mbi 10 milion euro bruto gjatë viteve 2018 dhe 2019, nga monopoli për furnizim me kerozinë në aeroport, e që ia mundësonte kompania turke LIMAK e cila ka në koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

    Miliona Euro të tjera nga ky monopol i kishte përfituar LIMAK, e cila po e tarifonë kompaninë e derivateve për çdo litër të shitur në aeroport, shumë fish më shumë se sa parashihet me marrëveshjen që LIMAK ka me shtetin e Kosovës për koncesionimin e Aeroportit “Adem Jashari” dhe në kundërshtim me rregulloren e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

    10 centë më shumë nga shitja e çdo litre të kerozinës tek aviokompanitë, kishte përfituar LIMAK nga “Ex Fis”, gjatë viteve 2018 dhe 2019. Kjo bie në kundërshtim me Marrëveshjen për Partneritet Publiko Privat në Aeroportin e Prishtinës (PPP), që parasheh se LIMAK-Aeroporti të përfitojë vetëm 2 centë si tarifë ndaj operatorit që ofron shërbime për furnizim me karburante.

    Krejt kjo iu kushtonte qytetarëve të Kosovës me çmimet më të larta të biletave të fluturimit, krahasuar me vendet e rajonit, pasi që kerozina është pothuajse kostoja kryesore e një fluturimi për kompanitë avio-fluturuese.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark