
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike “Ambienti” nën dyshimin për vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
Të akuzuarit janë Arton Muhaxheri, kryesues i Bordit të Drejtorëve, si dhe anëtarët e bordit Idriz Bala, Fisnik Ademi, Shpetim Gashi dhe Nexhat Avdullahu – ky i fundit njëherësh edhe kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes.
Të njëjtit akuzohen se gjatë viteve 2020 deri në fund të vitit 2022, kanë shpërdoruar pozitat e tyre për të ndarë bonuse për veten pa pasur vendim të aksionarit dhe pa mbështetje ligjore.
Sipas aktakuzës, që përfshin 79 faqe, thuhet se vendimet për ndarjen e bonuseve janë marrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke përbërë tejkalim të qartë të autorizimeve zyrtare.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë vepruar në bashkëkryerje, me qëllim përfitimi personal dhe dëmtimi të buxhetit publik.
Ndaj Arton Muhaxherit rëndojnë gjithashtu edhe akuzat për “Legalizim të përmbajtjes së rreme”, “Deklarim të rremë nën betim” dhe “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”.
Ndërkaq, Nexhat Avdullahu akuzohet edhe për punësim të paligjshëm të më shumë se tetë personave, veprim i cilësuar si “Keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “Konflikt interesi”.
Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe t’u ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike. Gjithashtu, është kërkuar që ata të detyrohen të kompensojnë dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të ndjekur penalisht të gjithë ata që përfshihen në veprime të paligjshme që dëmtojnë interesin publik dhe financat e shtetit.