×
  • Lajme
  • Analiza

    Ndërhyrjet në IML të këshilltares së Albulena Haxhiut – Kush është Nazlie Bala që po akuzohet edhe nga Haki Abazi?

    Insajderi
    22 February 2023 - 16:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rasti i vdekjes së ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari është rikthyer përsëri në fokus. Mostrat e zhdukura nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe akuzat e deputetit të VV-së, Haki Abazi ndaj bashkëpartiakëve, bënë që ky rast të jetë në qendër të vëmendjes. Nazlie Bala është një nga emrat që Abazi përmendi se janë në dijeni kush i ka zhdukur këto mostra. Bala e cila gëzon pozitën e këshilltares së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu po dyshohet se është përfshirë në një skandal.

    Ministrja Albulena Haxhiu para tetë muajve ishe paralajmëruar nga Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore për ndërhyrjen e këshilltarës së saj politike, Nazlie Bala. Në letrën e siguruar nga Nacionale, mes tjerash nga kjo sindikatë thuhej se Bala po e dirigjon komplet punën në IML.

    Para se të bëhej publike ankesa e sindikatës së IML-së, Bala u akuzua nga deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi se është e “përfshirë” në rastin e zhdukjes së mostrave Dehari, shkruan Insajderi.

    Kush është Nazlie Bala?

    Nazlie Bala është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje qysh në fillet e para. Për një mandat, ajo ka qenë anëtare e VV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Po ashtu, ishte drejtuese e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në këtë parti.

    Me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, Bala është emëruar këshilltare politike e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Në shtator të vitit 2019, emri i Nazlie Balës u përmend në një skandal të drogës. Insajderi raporti ekskluzivisht se nipat e saj (djemtë e vëllait), u arrestuan nga Policia e Kosovës për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Njësitet e antidrogës kishin zbuluar dy laboratorë të sofistikuar për përpunimin e lëndëve narkotike. Bala nuk u deklarua asnjëherë publikisht për këtë çështje.

    Një vit më vonë, u raportua se Bala në kundërshtim me ligjin kishte dhënë mijëra euro donacione për Vetëvendosjen. Siç tregojnë raportet financiare të publikuara nga Lëvizja Vetëvendosje, në periudhën 2017-2019 Bala ka dhënë saktësisht 5 mijë 980. Duke dhënë para për Vetëvendosjen në vlerë prej 3 mijë euro brenda një viti kalendarik, ajo ka shkelur Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, Nenin 5.1 dhe Rregulloren e KQZ-së për Financimin e Subjekteve Politike, Nenin 9.1

    Si u përfshi emri i Nazlie Balës në zhdukjen e mostrave të Rastit Dehari?

    Pasi u bë publik lajmi për zhdukjen e mostrave të ish-aktivisit të VV-së, Astrit Dehari, Bala dha disa detaje.

    Ajo deklaroi se më 7 dhjetor gjatë ndërrimit të frigoriferëve ku ruhen mostrat e rastit Dehari, është kuptuar se ato nuk janë më aty.

    Bala theksoi se proces i ndërrimit nuk kishte ndodhur që nga muaji tetor i vitit 2021 andaj nuk dihet kur ka ndodhur zhdukja e mostrave.

    Por ndryshe deklaroi bashkëpartiaku i saj, Haki Abazi.

    Përpos se akuzoi partinë e tij se nuk është demokrate dhe tenton të shuaj zërat kritik, Abazi përmendi zhdukjen e mostrave të rastit Dehari.

    Ai tha se ekzistojnë video-incizime që dëshmojnë se kush i ka marrë mostrat e Deharit. Abazi ftoi prokurorinë që për këtë çështje ta intervistojnë edhe Nazlie Balën. Kjo e fundit në një kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Abazit tha shkurtimisht se “kajtja e lakmija të korit”. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark