Ndërhyrjet në 'Xhorxh Bush' shkaktojnë përplasje – ITK: Veprimet e Ramës të pajustifikuara - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ndërhyrjet në ‘Xhorxh Bush’ shkaktojnë përplasje – ITK: Veprimet e Ramës të pajustifikuara

    Insajderi
    30 April 2025 - 19:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Imer Hakaj, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në lidhje me ndërhyrjet në sheshin “Xhorxh Bush”, duke i cilësuar ato si të jashtëligjshme dhe në kundërshtim me normat institucionale.

    Në një deklaratë të gjatë publike, Hakaj ka theksuar se ndërhyrjet në zonën e mbrojtur janë bërë pa autorizime ligjore dhe se institucionet e trashëgimisë kulturore janë duke u përballur me presion të vazhdueshëm dhe të pajustifikuar nga ana e zyrtarëve komunalë, përfshirë edhe Kryetarin Rama, shkruan Insajderi.

    “Këto veprime përbëjnë presion të drejtpërdrejtë dhe të pajustifikueshëm, që synon të ndërhyjë në ushtrimin e detyrave tona zyrtare”, deklaroi Hakaj, duke shtuar se inspektorët janë përballur me kallëzime penale dhe kërcënime publike.

    Ai akuzoi zyrtarët komunalë se kanë publikuar në mënyrë selektive dokumente zyrtare, duke keqinterpretuar qëllimin e tyre dhe duke krijuar një perceptim të gabuar në publik.

    Hakaj theksoi se nëse synohet transparencë, atëherë duhet të publikohen të gjitha dokumentet zyrtare, përfshirë vendimet për ndalim të punimeve dhe procesverbalet përkatëse.

    Drejtori i ITK-së shtoi se pavarësisht përgatitjes profesionale të Kryetarit Rama, veprimet e tij nuk janë në përputhje me pritshmëritë ligjore dhe institucionale.

    “Veprimet e Komunës së Prishtinës tashmë e kanë kaluar çdo normë të sjelljes institucionale”, tha Hakaj, duke nënvizuar se presioni publik ndaj institucioneve ligjzbatuese ka ndikuar negativisht edhe në opinionin publik dhe sjelljen ndaj zyrtarëve të trashëgimisë kulturore.

    Ai apeloi për ndalimin e menjëhershëm të këtyre veprimeve dhe theksoi se asnjë zyrtar nuk ka të drejtë të ofendojë apo kërcënojë punonjësit që janë në përmbushje të detyrës së tyre ligjore.

    Në fund të deklaratës, Hakaj shprehu përkushtimin për ta trajtuar me prioritet lëndën e ndërhyrjes në sheshin “Xhorxh Bush”, sapo të plotësohet dokumentacioni i kërkuar, dhe theksoi se çdo presion publik duhet të trajtohet institucionalisht dhe ligjërisht.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark