
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ambasada Britanike me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Dhunë organizuar konferencën “Ndërtimi i urave: avancimi i pajtimit, dialogut dhe zërit qytetas – Çfarë kemi mësuar”.
Me këtë rast, u përkujtua Bajram Qerkinaj, i cili vdiq pa ditur për fatin e djalit të tij, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Për Bajram Qerkinajn u fol me konsideratë të lartë, duke u vënë në dukje kontributi i tij me peshë në përpjekjet për ndriçimin e fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se mbetën të përkushtuar për të ndihmuar Kosovën.
“Mbi 1500 persona janë të zhdukur dhe familjet ende po presin. Kudo qe shkojë në Kosovë më bën përshtypje se sa delikate mbetet besimi, frika ende i pengon njerëzit për të dëshmuar. Familjarët meritojnë të dinë. Si Britani e Madhe mbetemi të përkushtuar për t’i ndihmuar Kosovës, sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me të shkuarën por edhe më të ardhmen”, tha Hargreaves.
Edhe Marta Gazideda, menaxhere e programit për qeverisje dhe paqe në UNDP, përkujtoi Bajram Qerkinajn, duke thënë se duhet të vazhdohet kërkesa për drejtësi.
“E kemi humbur bacën Bajram fizikisht, por trashëgimia e tij vazhdon të jetojë. Mënyra më e mirë për ta nderuar është që të kujtojmë ata, t’i përfaqësojmë rezultatet e tyre dhe ta mbajmë kërkesën për drejtësi”, shtoi Gazideda.