Ndërmarrja i merr para të majme Kosovës për mbikëqyrjen e Termocentralit që s’ekziston – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ndërmarrja i merr para të majme Kosovës për mbikëqyrjen e Termocentralit që s’ekziston

    Insajderi
    18 May 2022 - 10:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria ka ndryshuar, viti ka ndryshuar, dekada ka ndryshuar por një gjë në Kosovë po mbetet e njëjtë: gjakderdhja financiare. Ky është rasti i ndërmarrjes që s’ka arsye të ekzistojë, por që ekziston dhe i merr shumë para Kosovës.

    Një herë një kohë, Kosova kishte nënshkruar marrëveshje me Contour Global për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, e për mbikqyrjen e kësaj pune Qeveria e Kosovës kishte themeluar Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës [NKEC] në vitin 2018. Prej asaj kohe, Kosova as nuk ka termocentral të ri, e edhe kontrata me Contour Global është shkëputur por NKEC-i vazhdon.

    Tash e katër vite Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës me akronimin NKEC vazhdon të funksionojë, pavarësisht se nuk kryen asnjë funksion mbi të cilin ishte themeluar.

    Ministria e Ekonomisë që është mbikëqyrëse e kësaj ndërrmarrje publike nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

    E mbylljen e kësaj ndërrmarrjeje – që sipas planit vjetor për 2021 kishte planifikuar shpenzime me vlerë prej afër 800 mijë eurove – po e kërkon edhe Instituti për Politika Zhvillimore [INDEP].

    Dardan Abazi që është hulumtues i lartë në INDEP për Nacionale ka thënë se vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria që të mbyllet NKEC pasi nuk ka asnjë funksion, mirëpo deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    “Që nga dështimi i projektit për ndërtimin e termocentralit shkatërrues të Kosovës së Re ne kemi insistuar në mbylljen e NKEC. Nuk ka pasur fare justifikim as neëthemelimin e saj e aq më pak në mbajtjen e saj. Ajo nuk ka asnjë funksion. Nuk qëndrojnë arsyetimet për arbitrazh sepse ajo procedurë është mbyllur dhe e gjitha çka ka mbetur është që Qeveria t’i përgjigjet pyetjeve se me çfare dakordimi është ndërprerë procedura me Contour Global”, ka thënë ai.

    Më tej, Abazi ka kërkuar shuarjen e menjëherëshme të kësaj ndërrmarrje dhe publikimin e raporteve të performancës së saj.

    Sidoqoftë, NKEC i shkakton humbje financiare Kosovës dhe nuk ka asnjë rol në tregun që gjithnjë e më shumë po liberalizohet dhe gjithnjë e me shumë duhet të hapet. I kërkojmë Qeverisë shuarjen e mënjëhershme të kësaj ndërmarrje dhe publikimin e plotë të raporteve të përformancës dhe funksioneve që ka kryer deri me tani kjo ndërmarrje në shërbim të transparencës dhe llogaridhënies.”, ka thënë ai.

    Çfarë është NKEC?

    Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës [NKEC] ishte themeluar në vitin 2018 si shoqëri aksionare si ndërmjetësuese për energjinë elektrike mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global që kishte për detyrë ndërtimin e Termocentralit Kosova e re.

    NKEC ishte themeluar si ndërmarrje mbikëqyrëse për ndërtimin e TC Kosova e Re dhe misioni i saj ishte përmbushja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike. NKEC kishte për detyrë që të gjithë energjinë elektrike t’ua shet furnizuesve të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës sipas kushteve të marrëveshjes për blerjen e energjisë.

    Shpenzimet e NKEC?

    Sipas Raportit të Auditimit nga ZKA për Ndërmarrjen e Re Energjetike [NKEC] për vitin 2019 vetëm për paga kishte shpenzuar 88,725.00, për Bordin, Kryeshefin ekzekutiv dhe dy të punësuar të tjerë.

    Auditori atëkohë kishte rekomanduar që në rast se hiqet dorë nga ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re, Bordi i NKEC dhe Qeveria e Kosovës duhet të kishin vizion se si do të jetë e ardhmja e ndërmarrjes, mirëpo këtë rekomandime nuk janë marrë parasysh.

    Sipas planit buxhetor për vitin 2021, NKEC kishte planifikuar shpenzime prej 702.954.00 euro, prej të cilave 452,970.00 euro për stafin që kishte planifikuar ta angazhojë edhe pse Contour Global ishte tërhequr nga projekti dhe ekzistenca e kësaj kompanie është bërë e panevojshme.

    Kryeshefi ekzekutiv i NKEC, Fadil Ismajli, ka një pagë mujore në vlerë prej 3 mijë e 500 eurove teksa anëtarët e Bordit kanë deklaruar paga rreth 500, 600, dhe 800 euro.

    Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në qershor 2020 kishte njoftuar investitorin Contour Global për ndërprerje të marrëveshjes. Ndërsa me datë 19.11.2020, investitori Contour Global kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit dhe pastaj kishte tërhequr padinë pas një marrëveshje me Qeverinë Kurti 2 që nuk u bë publike kurrë.

    Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 pati arritur marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat.

    Përndryshe kryeministri, Albin Kurti kishte deklaruar se kur Vetëvendosje do të udhëheq me shtetin ‘do të ndalin gjakderdhjen financiare’ në ndërmarrje publike, po si duket kjo nuk vlen edhe për NKEC.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark