
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, shpreh shqetësimin e thellë për aplikimin e reduktimeve të shumta të energjisë elektrike që po ndodhin këtyre ditëve në mbarë vendin.
“Këto ndërprerje po ndodhin në një periudhë kur bizneset tashmë përballen me pasojat nga rritja e çmimit të energjisë për 16.1%, si dhe me pasiguritë dhe dëmet e shumta që ka shkaktuar procesi i liberalizimit të tregut të energjisë”, thuhet në njoftim.
DhTIK, bën me dije se, ka pranuar këtyre ditëve dhjetëra ankesa nga biznese anëtare në të gjitha komunat e Kosovës për ndërprerje të paparalajmëruara dhe pa orar të caktuar, të cilat po dëmtojnë rëndë prodhimin, kontratat eksportuese, dhe stabilitetin e vendeve të punës.
Bizneset që veprojnë në tregun e lirë, përkundër tarifave të larta që paguajnë, nuk po marrin furnizim të rregullt dhe të sigurt me energji, gjë që përbën shkelje të parimeve bazë të tregut të hapur.
“Dhoma rikujton se një nga shqetësimet e saj kryesore ndaj mënyrës së zbatuar nga ZRRE-ja gjatë procesit të liberalizimit, ka qenë garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji”.
DhTIK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse – ZRRE, KOSTT, KEDS, KESCO dhe Ministrisë së Ekonomisë, që të ndërmarrin masa urgjente për rikthimin e stabilitetit energjetik dhe të publikojnë planin transparent të furnizimit për periudhën në vijim.
Njëkohësisht, kërkojmë që të shqyrtohen urgjentisht mekanizmat kompensues për bizneset që kanë pësuar dëme nga ndërprerjet e vazhdueshme.