Organizata Joqeveritare AVONET thotë se ka zbuluar një skandal tjetër të Komunës së Ferizajt të drejtuar nga Agim Aliu i PDK-së. Drejtori i OJQ’së Kenan Gashi ka prezantuar disa dokumente që faktojnë këtë skandal të fshehur me vite nga komuna.
Gazeta Insajderi
Organizata Joqeveritare Avonet po thotë se ka në posedim një dokument që sqaron se Komuna e Ferizajt, në mënyrë jo ligjore ka lëshuar kushte të ndërtimit deri tani.
Kjo për shkak se sipas një interpretimit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor të vitit 2018, thuhet se vendimi për miratimin e Planit Zhvillimor Komunal nuk ka shfuqizuar Planet Rregullative Urbane.
Sipas Kenan Gashit, Komuna e Ferizajt kushtet e ndërtimit është dashur t’i lëshoj me PRrU e jo me PZhK dhe ligj të ndërtimit.
“Sipas Avonet, zyrtarët komunal kanë bërë mashtrime. Për neve është skandaloze qysh komuna e ka fshehur këtë dokumente duke abuzuar dhe duke e zhvatur me pozicionin e tyre. Për neve është një skandal i radhës së Komunës së Ferizaj. Kjo pasi institucioni i Ferizajt për vite te tëra e ka fshehur këtë dokument në sirtarët e tyre”, deklaroi Gashi.
Megjithatë, Drejtori i Urbanizmit në Ferizaj, Arbër Bytyqi thotë se ka marr një tjetër interpretim nga po e njëjta Ministri.
Ai thotë se sipas interpretimit të Kuvendit Komunal të gjitha dokumentet e planifikimit janë të shfuqizuara.
“Drejtoria e Urbanizmit i është drejtuar me një shkresë Drejtorisë së Urbanizmit. Në përgjigjën që kemi marr nga ministria thuhet se interpretimin e vendimeve të kuvendit e bën kuvendi komunal. Ne iu kemi drejtuar Kuvendit komunal dhe e kemi marr interpretimin që të gjitha dokumente e planifikimit janë të shfuqizuara” tha Drejtori i Urbanizmit Arbër Bytyqi për TV Tema.
Komuna e Ferizajt ka në fuqi Planin Zhvillimor Komunal që nga viti 2017 kurse është duke punuar për futjen në fuqi të hartave zonale.
Qytetarët e Ferizajt kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për ndërtimin e disa objekteve në Ferizaj. Javën e kaluar një numër i konsiderueshëm i banorëve protestuan.
Protesta u mbajt për shkak të pakënaqësive të lejimit të ndërtimit 11 katesh të biznesmenit Fatmir Graica i cili po bëhet në mes të shtëpive në pjesën e njohur si Lagjja e Re.
Nga pamjet që ishin publikuar në Gazetën Insajderi, banorët pronësuan para Komunës së Ferizajt, ndërsa para objektit ishin vendosur edhe tenda e pankarta me mbishkrimin; Komuna e Ferizajt: Këtu ndërtohen shtëpitë, por ku është ndërtimi i së drejtës?