Komuna e Prishtinës për një ditë dha dy tendere në formë të negociuar pa publikim të njoftimit. Vlera e tyre tejkalon gjysmë milionin. 410 mijë prej tyre u dhanë për ndërtimin e një strehimore të qenve. Komuna me këtë kontratë ka injoruar edhe ofertën me të lirë, që ishte në vlerë prej 378 mijë euro.
Gazeta Insajderi
Komuna e Prishtinës, ka publikuar dje njoftimin për tenderin “Ndërtimi i strehimores –parku i qenve“.
Sipas faqes se Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në garë ishin vetëm dy kompani.
Një kompani kishte ofertuar 378 mijë euro. Por, Komuna e Prishtinës ka përzgjedhur kompaninë me të shtrenjtë në vlerë prej 410 mijë euro.
Fitues është shpallur grupi i operatorëve ekonomik “AGRO INVEST 1 SH.P.K; LORD GROUP SH.P.K”.
Sipas dosjes së publikuar punët që parashihen me këtë kontratë janë ato të rrethojës, ujësjellësit, kanalizimi fekal, gropa septike, ndërtimi i objekteve dhe elektrika.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në dosje.
Kjo nuk është kontrata e vetme që u dha në formë të negociuar nga Komuna e Prishtinës.
Komuna jep edhe 140 mijë euro në formë të negociuar
Komuna që udhëhiqet nga Përparim Rama, sot (18.09.2024) dha njoftimin edhe për një kontratë tjetër.
Në bazë të dosjes së publikuar Komuna dha 140 mijë për “Pastrimi i objekteve të KPSH-së”.
Kompania që u shpërblye është “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë Dega në Kosovë”.
Edhe ky tender u dha në formë të negociuar pa publikim të njoftimit.
Kontratat e tilla janë formë e kritikuar si e dyshimtë e korruptive.
Ndërkaq nuk dihet se pse Komuna ka vendosur që ta zbatojë këtë procedurë në tenderin e pastrimit, edhe pse ekzistojnë dhjetëra kompani që ofrojnë shërbime të njëjta.
Në anën tjetër edhe javën e kaluar me këtë procedurë, Komuna dha tri tendere./Insajderi.org/