×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ndihem i shantazhuar, kërkoj nga Prokuroria të merret urgjentisht me rastin”- Enver Hasani denoncon Pukën

    Insajderi
    30 August 2024 - 12:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, i është drejtuar me një kërkesë Këshillit të Etikës dhe Prokurorisë Speciale, lidhur me denoncimin që i bëri Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka. Në kërkesë Hasani thotë se ndihet i shantazhuar dhe se Puka po do t’ia mbyllë gojën për denoncimin që ia ka bërë ky për mashtrim me doktoratë.

    Në letrën e ardhur në gazetën Insajderi, të cilën ia ka drejtuar Prokurorisë Speciale dhe Këshillit të Etikës ai ka kërkuar që para trajtimit të rastit ndaj tij, të përjashtohet Kryesuesi i Këshillit të Etikës, Iset Morina, meqë siç thotë “ka interes të drejtpërdrejtë për çdo poshtërim” të tij, duke përmendur një konflikt verbal që kanë pasur mes vete në mbledhjen kur Puka ishte zgjedhur Dekan i Juridikut.

    E para, përjashtimi i zotit Iset Morina nga çdo vendosje për këtë rast, për shkak të pengesave absolute që e pengojnë ligjërisht, kofnorm nenit 29 pika 1.4 lidhur me pikën 1.10 të Ligjit 05/L-031 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative: Iset Morina ka interes të drejtpërdrejtë për çdo poshtërim timin nga ana e këtij trupi administrativ të Universitetit, sepse në mbledhjen e Fakultetit Juridik kur është zgjedhur dekani aktual i kësaj njësie akademike kam pasur konflikt verbal dhe, përveç kësaj, në denoncimin e Avni Pukës për gjoja prishje të imazhit dhe sulm ndaj kolegëve bëhet fjalë pikërisht për zotin Iset Morina”, thuhet në letrën e Hasanit.

    Në kërkesën e tij, Hasani ka përmendur edhe se si Këshilli i Etikës në vendimin për Pukën, përmend emrin e tij si denoncuar, por se kurrë nuk e kishin ftuar për ta dhënë fjalën e tij. Ai ka vazhduar insistimin se Puka ka mashtruar me doktoratën në Itali.

    Ka thënë se ka prova për këtë dhe se do t’i ofrojë në Prokurori kurdo që ka kërkesë për këtë.

    “Unë kam prova të pamohueshme dhe origjinale nga Fakulteti Juridik i Universitetit “La Sapienza” që provojnë se Avni Puka nuk ka doktoratë valide nga atje, në sensin që e ka thënë vetë dhe ashti si e ka përdorur në raportin për avansimin e tij në thirrjen e fundit akademike. Këto prova i ofroj në prokurori kurdo që më kërkohet, sepse vendosja juaj nuk mund të absorboj veprën penale.”.

    Hasani ka kërkuar edhe që të ndahet pjesa e denoncimit që lidhet me mësimdhënien nga vendosja në Këshill të Etikës, meqë thotë se kjo hyn në kompetenca të Prokurorisë Speciale, meqë përbën çështje penale. 

    Për denoncimin që ka i ka bërë Puka ku pretendon se Hasani se nuk ka mbajtur asnjë ligjëratë gjatë vitit akademik 2023/2024 dhe se e ka vënë në lajthim Fakultetin Juridik, duke u kompensuar për normë e mbinormë pa mbajtur mësim, ai ka përmendur arsyet shëndetësore.

    Natyrën e sëmundjes ka thënë se do ta ndaj vetëm me Prokurorinë Speciale duke thënë se do ta prezantojë edhe lejen me shkrim nga Rektori.

    Deri të vendoset nga organi i akuzës , ju nuk mund të ndërmerrni asnjë veprim. Kjo edhe për faktin e thjeshtë se një person më një sëmundje si puna ime nuk ka mund të ketë telashe me etikë përgjatë vitit 2023-2024. Nuk mund të ndaj me ju natyrën dhe intensitetin e sëmundjes sime, për shkak të privatësisë. Këtë sigurisht që do e bëj me kënaqësi me organin e akuzës, kurdo të ftohem, u mor vesh brenda situatës shëndetësore që të gjendem ditën e ftesës. Atyre do t’u tregoj se ka pasur një leje me shkrim nga rektori Qerim Qerimi, më datën 20 prill 2023 , mbi bazën e të cilës kam vepruar unë dhe kolegët e Katedrës Ndërkombëtare dhe që është vënë në jetë me vendim të Këshillit Mësimor Shkencor të vitit akademik 2023-2024. Këto mbesin për sqarim te organi akuzës”, thuhet tutje në kërkesë.

    Në fund ka kërkuar nga Prokuroria që ta trajtojë këtë çështje me urgjencë, duke thënë se ndihet i shantazhuar nga Avni Puka. Sipas Hasanit, Puka po tenton t’ia mbyllë gojën për denoncimin që i ka bërë ky për doktoratën në Itali.

    …, pra kërkoj me urgjencë që të përcaktohet saktë përgjegjësia penale eventuale për çdokënd, përfshirë mua. Ky shantazh synon mbylljen e gojës sime për rastin e diplomës së tij fals që e ka lëshuar në qarkullim dhe ka përfituar nga ajo kundërligjshëm. Për pjesën tjetër të denoncimit, mbetem i gatshëm që, në seancën e parë (pasi të rregullohet  çështja procedurale e përjashtimit të zotit Iset Morina sipas fuqisë ligjore – meqë konflikti i interesit që ka përcaktuar qartë ligjvënësi kosovar në kët rast, është pengesë absolute në çdo rast kundër meje nga ana e këtij Këshillit të Etikës), të ofroj çdo sqarim për pjesën e mbetur të denoncimit të Avni Pukës dhe çdo gjë tjetër. U mor vesh nëse ju konsideroni se pjesa tjetër ka dimensione etike. Pra, për atë pjesë, jam i gatshëm kurdo të paraqitem e të jap sqarime”, përfundon kërkesa e Hasanit.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark