Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme, u paraqit sonte nga Mitrovica në një konferencë për media, ku foli për barrikadat dhe çështje të tjera që lidhen me to.
Ai tha se po presin KFOR-in që t’i largojë barrikadat.
“Jemi në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, dhe presim që së ma parë të veprojë nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë, apo të themi që është rënduar. Po presim që sa më shpejt barrikadat të largohen”.
“Barrikadat duhet të hiqen nga KFOR-i dhe zyrtarët policore duhet të kthehen në normalitet dhe ta kryejnë punën në bazë të angazhimeve që kanë, ose të na tregohet e kundërta – dhe pastaj Policia të veprojmë në bazë të planit operacional që ke përgatitur”, tha Sveçla, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe:
Tutje, vartësi i Kurtit, Sveçla foli edhe për ish-policin serb të arrestuar, Dejan Pantiq – arrestimi i të cilit nxiti ngritjen e barrikadave.
Ai tha se Pantiq është mirë me shëndet dhe po merr trajtimin e duhur, dhe i njëjti gjendet në një stacion policor afër Jarinjës.
Transferimi i këtij të fundit në një qendër paraburgim është prioritet për autoritetet, tha Sveçla, duke zbuluar dhe se për këtë kanë kërkuar edhe ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë.
“Prandaj për ne mbetet prioritet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë”.
“Largimi i barrikadave e mundëson këtë transferim nga Policia e Kosovës, lehtë dhe sigurt”, tha Sveçla, duke shtuar se kërkesa për lirimin e tij është “e papranueshme” për Kosovën, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe:
Kështu, Sveçla e përfundoi konferencën me dy lutje konkrete për ndihmë nga ndërkombëtarët.
Ndoshta, në komunikimet e tyre të shpeshta, siç konfimroi Sveçla “disa herë brenda ditës”, Qeveria u ka thënë ndërkombëtarëve: na ndihmo si vëlla, por kjo nuk dihet.
Ajo që dihet është se kryeministri Albin Kurti ironizonte para disa muajsh me lutjet që Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut ia bënte Qeverisë së tij për rritje të rrogave.
Kurti thoshte se Jasharaj i ka thënë “ndihmon si vëlla”.
“Si vëlla të ndihmoj privatisht, jo si kryeministër. Kryeministri nuk bën pazare”, deklaronte i pari i Ekzekutivit.
Ndërsa mbetet të shihet, a do t’i pranojnë ndërkombëtarët lutjet e Qeverisë për heqjen e barrikadave dhe transferimin e Pantiqit, apo do të hapërojnë vet drejt zgjidhjes së situatës në veri.
Ndërkohë, barrikada në veri të Kosovës janë ngritur më 10 dhjetor, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim./Gazeta Insajderi/