“Shkelet marrëveshja për targat”, BE injoron Sveçlën, i del në krah Serbisë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Shkelet marrëveshja për targat”, BE injoron Sveçlën, i del në krah Serbisë

    Insajderi
    19 January 2023 - 15:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Serbia shkeli marrëveshjen për targat “KM”, tha të mërkurën ministri kosovar i brendshëm, Xhelal Sveçla, derisa tjetër gjë thotë Bashkimi Evropian, shkruan Insajderi.

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se “nuk mund të konsiderohet” shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë, në konferencën e tij të përditshme për media.

    “Ne jemi në dijeni për vendimin e Serbisë nga 6 dhjetori që targat KM nuk do të rinohen, por vetëm vetëm sigurimi dhe inspektimi teknik. Prandaj nuk mund të konsiderohet si lëshim i targave të reja”, tha Stano.

    Mes tjerash, Stano u thirr edhe në zotimin e Kosovës që ndaj targave KM të mos merren masa ndëshkuese dhe të më mirëmbajë status quo-n derisa të ketë zgjidhje “të qëndrueshme” në kuadër të Dialogut.

    “U kërkojmë të gjithëve që në mënyrë të pakusht të respektojnë marrëveshjet dhe të përqendrohen në normalizim. Çfarëdo interpretimi i asaj se për çfarë është pajtuar duhet të ndodhë brenda kornizës së dialogut e jo përmes veprimeve të njëanshme në terren të cilat mund të përkeqësojnë më tej situatën”, tha zëdhënësi i BE’së.

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dje konstatoi se Serbia e ka shkelur “në tërësi” këtë, siç e quan Qeveria Kurti “dakordësim”, e jo marrëveshje.

    Reagimi i Sveçlës:

    Serbia ka shkelur dakordimin për targat

    Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022.

    Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim.

    Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel​, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës.

    Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre.

    Ftojmë të gjithë qytetarët, pronarë të veturave me targa të tilla, të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Republikën e Kosovës në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Republikës së Kosovës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark