Policia e Kosovës para disa muajsh hapi tender për furnizim e zyrtarëve policorë me pizhama, çorape dhe çorape termike. Megjithatë, zyrtarët policorë janë njoftuar në janar se do të mbesin pa to. Autoriteti kontraktues thotë se dy operatorë ekonomikë ishin të papërgjegjshëm. Vendimi për anulim u mor në fillim të janarit të këtij viti.
Policia kërkoi 13,200 pizhama për zyrtarët policorë meshkuj dhe katër mijë sosh për policet femra pak para dimrit. Po ashtu, 39 mijë palë çorape dhe 2,400 palë çorape termike. Kjo, nëpërmjet një tenderi me procedurë të hapur, të ndarë në katër pjesë. Gjithsej, vlera e parashikuar e tenderit ishte paraparë të ishte 333 mijë euro, raporton Insajderi.
Dosja e tenderit ishte përgatitur në nëntor të vitit që shkoi, kurse vendimi për anulimin e tij u mor në fillim të janarit të këtij viti.
Në vendimin për anulimin e tenderit, Prokurimi i Policisë së Kosovës ka thënë se e vetmja ofertë e pranuar për pjesën 2 dhe 4 nga operatori ekonomik ‘Naim Shuki B.I’ nuk ishte e përgjegjshme.
Arsyetimi mbi anulimin e vendimit është se operatori ekonomik ua kishte ndryshuar vendin e origjinës dhe prodhuesin, kur iu kishte kërkuar informatë shtesë.
“Pas kërkesës për sqarime shtese nga AK bazuar në nenin 59.2 LPP dhe neni 72 të Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik, Operatori Ekonomik është përgjigjur në sqarimet e kërkuara brenda afatit kohor të përcaktuar ne kërkesën për sqarime shtesë pasi që afati i fundit për pranimin e sqarimeve shtesë ka qenë data 16.12.2024 ora 16:00h, ku OE pas sqarime shtesë për artik. me nr. rend. 2 dhe 4 emri i prodhuesit dhe vendi i origjinës në përgjigjen e tij
…Sipas kësaj ky OE pas sqarimeve shtesë ka ndryshuar prodhuesin si dhe vendin eorigjinën në listën e çmimeve për artik 2 dhe 4 dhe eliminohet si i papërgjegjshëm”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Lidhur me vendimin e anulimit të tenderit për çorapë dhe pizhama për policët, Gazeta Insajderi ka kërkuar një version nga Policia e Kosovës mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Operatori ekonomik i papërgjegjshëm, përfitues i tenderit në ministrinë e Nagavcit
Gazeta Insajderi ka raportuar në qershor të vitit që shkoi për një tender prej shtatë mijë eurosh që Nagavci kishte ndarë për stafin e saj.
Rrypa me lëkurë kualitative, shall për femra, xhempera, jakne, këpucë, uniforma e këmisha ishin disa nga veshjet që Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Arbërie Nagavci bleu për stafin e vet. Rrobat e blera ishin për dimër e verë.
Operatori Ekonomik që e kishte fituar këtë tender ishte “Naim Shuki B.I”
LEXO EDHE:
Problemet e Policisë së Kosovës me tenderë
Gazeta Insajderi raportoi para disa muajsh për dy raste të njëpasnjëshme të dështimit të tenderëve, si pasojë e operatorëve ekonomikë të papërgjegjshëm.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), institucion i njohur ndryshe si “Gjykata e Tenderëve”, vendosi në listë të zezë firmën “Top Soft Papers” në konzorcium me “Ajani&Adami”. “Top Soft Papers” me pronar Burim Karaçicën bashkë me “Ajani&Adami” dyshohej se kishte prezantuar dokumente të falsifikuara kur kishte ofertuar për një tender të Policisë së Kosovës, për të cilin e kishte fituar.
LEXO EDHE:
Bëhej fjalë për një tender në vlerë të parashikuar prej afro 150 mijë eurove për furnizim me material higjienik.
Pas ankesës së një operatori ekonomik, tenderi ishte pezulluar e më pas ishte anuluar. OSHP kishte gjetur se ky grup i operatorëve ekonomikë kishin përdorur etiketa të produkteve pa pëlqimin e ‘PMK Inxhiniering’.
Firma e biznesmenit Karaçica kishte qenë përfituese e subvencionimit të kredisë investuese. Kurti me Muratin e kishin vizituar vjet fabrikën e Karaçicës, ku e lavdëronin këtë të fundit se nuk kishte pagë nën 500 euro për 24 punëtorë.
Zyra e Prokurimit të policisë kishte vendosur që tenderin në bazë të kriterit me çmimin më të ulët t’ia jepte firmës së biznesmenit Karaçica në konzorcium me “Ajani & Adami”.
Megjithatë, njëri nga ofertuesit konkurrentë kishte dërguar ankesë në Gjykatën e Tenderëve. Ata pretendonin se konzorciumi kishte prezantuar pranë autoritetit kontraktues dokumente të falsifikuara. Bëhej fjalë për dy etiketa të produkteve, të cilat ishin emituar kinse janë të firmës ‘PMK Inxhiniering’.
“AK-ja (Autoriteti Konktraktues) ka sqaruar se komisioni i vlerësimit fillimisht e ka rekomanduar për kontratë konzorciumi Ajani&Adami & Trofta soft papers L.L.C Sh.p.k, dhe pas publikimit të vendimit B58 kemi pranuar kërkesë për qasje në dokumentacion zyrtar nga një operator ekonomik i cili ka parashtruar si pretendim çështjen e falsifikimit te etiketave te produktit. AK-ja e ka aprovuar kërkesën per rishqyrtim te operatorit ekonomik dhe njëherit gjate rivlerësimit e ka verifikuar tek prodhuesi çështjen e etiketave te produkteve te dorëzuara nga konzorciumi Ajani&Adami & Trofta Soft papers L.L.C Sh.p.k”, thuhet në vendimin e OSHP’së.
Kësisoj, Policia e Kosovës iu është drejtuar përmes emailit prodhuesit ‘PMK Inxhiniering Prokim’ për t’i pyetur për etiketat për të cilat njëra nga firmat konkurrente pretendonte se është e falsifikuar. Nga kjo firmë thonin se s’kanë autorizuar asnjë kompani për të bërë mbishkrimin e dy mostrave që ishin dërguar nga operatorët ekonomikë fitues. Për këtë, ata paralajmëronin inicim të procedurës gjyqësore lidhur me rastin.
“Përmes këtij emaili, kompania PMK. Inxhiniering Prokim, Lipjan, deklaron se nuk është prodhues i këtij produkti siç është paraqitur në foto në emailin e juaj paraprak… Po ashtu, ne nuk kemi autorizuar asnjë kompani për të bërë mbishkrimin sikurse në foto, dhe si të tilla janë bërë pa lejen dhe dijeninë tonë. Sipas fotove, vërehet që mbishkrimet në produkt janë modifikuar për t’u përshtatur me kërkesat në prokurim, por duke përdorur emrin e kompanisë tonë pa lejen tonë paraprake”, thuhet në shkëmbimin e emaileve mes policisë dhe prodhuesit.
“Si rezultat i dëmtimit të imazhit të kompanisë, kërkojmë të njoftohemi se cila kompani ka keqpërdorur emrin e kompanisë, ndaj të cilës do të iniciohet procedurë gjyqësore sipas ligjeve në fuqi në Kosovë për dëmtim imazhi, kopjim, mashtrim dhe emitim të produktit“.
Këto pretendime i kishte mohuar kategorikisht “Ajani&Adami” dhe “Top Soft Papers”, duke pretenduar se prodhuesi në këtë rast ka pasur presion nga disa operatorë ekonomikë lidhur me deklarimet që kishte dhënë.
Sidoqoftë, Gjykata e Tenderëve i ka dhënë të drejtë ankesës, duke anuluar aktivitetin e prokurimit. Kësisoj, ka marrë vendim që të dy operatorët ekonomikë të futen në listë të zezë “Ajani&Adami” dhe “Top Soft Papers” për gjashtë muaj. Pra, nga 24 tetori i 2024-ës deri më 23 prill të 2025-ës.
Të njëjtit në sqarimin e tyre për Insajderin bënë të ditur se ka lidhur marrëveshje për përkrahje të “Ajani&Adami” për të plotësuar kriterin e qarkullimit vjetor të kompanisë në vlerë prej 60 mijë eurove.
“Për hir të korretësisë ju informojë se Top Soft Papers ka lidhur marrëveshje për përkrahje të kompanisë Ajani & Adami Sh.P.K në ofertimin e tyre në tenderin me numër të prokurorimit 214-23-10768-1-1-1, ku autoriteti kontraktues është Policia e Kosovës. Top Soft Papers SH.P.K në bazë të marrëveshjes do të përkrahë kompaninë ofertuese Ajani & Adami Sh.P.K për të plotësuar kriterin e qarkullimit vjetor të kompanisë në vlerë prej 60.000 euro, kriter ky i kërkuar në bazë të procedurës së lartëcekur si dhe për nevoja të kësaj kontrate do të furnizojë kompaninë Ajani & Adami SH.P.K, me produktet e saj që janë letër higjenike dhe paloma të ndryshme. Top Soft Papers SH.P.K merr përsipër të gjitha përgjegjësitë vetëm për kualitetin e produktit të tij”, thuhej në sqarimin e tyre.
Ndërkaq, shqetësime ka pasur edhe për tenderin për ndërtimin e Stacionit Policor Veri në Prishtinë në vlerë prej 1.5 milion euro.
Policia e Kosovës kishte ngritur pretendime për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim në lidhje me përvojën dhe kualifikimet e stafit të firmës “Astraplan SH.P.K.”, por OSHP e konsideroi kërkesën e saj si të pabazuar dhe pa prova, shkruan Insajderi.
Në vendimin e saj, OSHP argumentoi se dokumentacioni i dorëzuar nga Astraplan përmbushte të gjitha kërkesat e tenderit dhe pretendimet e Policisë mbi falsifikimin nuk gjetën mbështetje ligjore. Policia kishte kërkuar që Astraplan të futet në “listën e zezë” për një vit, duke e përjashtuar nga tenderët publikë, mirëpo kjo kërkesë u rrëzua pasi sipas panelit shqyrtues nga Vedat Poterqoi, nuk pati provat e qarta për të mbështetur akuzat e saj.
Kësisoj, në vend se të anulohej tenderi në vlerë prej 1.5 milion euro, me vendim të OSHP’së është vendosur në rivlerësim.
Gazeta Insajderi kishte kërkuar nga Policia e Kosovës përmes kërkesës për qasje në dokumente publike CV-në e inxhinierëve, komunikimin me ATK’në dhe dokumente tjera relevante që provojnë mashtrimin që ka tentuar ta bëjë ‘Astraplan SH.P.K’. Kërkesës iu është përgjigjur pozitivisht Policia e Kosovës.
Bedri Asllani, Xhemshir Mulliqi, Sabri Zeqiri, Arban Grajqevci dhe Skender Cakaj ishin në listën e inxhinierëve të prezantuar si bashkëpunëtorë profesionalë në ‘Astraplan SH.P.K’ me përvojë më gjatë se tri vite pune. Në mënyrë që t’i përshtateshin specifikat e tenderit.
Prokurimi i Policisë së Kosovës kishte vënë në pikëpyetje atë çfarë iu është prezantuar nga “Astra Plan Sh.P.K”. Përmes letrës standarde të kërkesës për sqarim të tenderit, Policia i drejtohej operatorit ekonomik për t’i kërkuar dëshmi për pagesat për tatim në kohën sa deklarojnë të kenë qenë të angazhuar në firmë.
Pos tjerash, autoriteti kontraktues kërkonte një deklaratë me shkrim se si do të mbulohet orari i plotë, meqë të gjithë bashkëpunëtorët profesionalë janë prezantuar si të angazhuar me gjysmë orari.
Dyshime kishin edhe për çështjen e nënshkrimeve.
“Po ashtu me qenë se në kontratë bashkëpunimi dhe në CV e këtij inxhinieri është nënshkrim elektronik, kërkojmë të sillni një deklarata shtesë nga ky Inxhinier që vërteton që ka nënshkrua këtë kontrata dhe po ashtu një deklarata që të gjitha evidentimet në CV janë të dhëna të vërteta. Te gjitha dëshmitë duhet te procedohen përmes sistemit te E-prokurimit“, thuhej ndër të tjera në letrën standarde drejtuar operatorit ekonomik, të cilën e kishte parë Insajderi.
Astraplan SHPK’ mënjanon kërkesat e autoritetit kontraktues, duke u drejtuar për në Gjykatën e Tenderëve. Në ankesën e tyre, thuhet se Policia e kosovës po tenton qëllimisht ta dezinformojë panelin shqyrtues me termin “bashkëpunëtor profesional me parakontratë”.
“Gjithashtu ju bëjë me dije se për inxhinieret e apostrofuar nga AK-ja, qe ne kemi prezantuar për këtë aktivitet të prokurimit, në kompani Astraplan shpk janë me parakontratë (në cilësi të bashkëpunëtoreve profesional), dhe se të njëjtit nuk janë në mardhënje të përhershme të punës Pra autoriteti kontraktues konkretisht z. Artan Fejza qëllimisht tenton të dezinformon Panelin Shqyrtues, duke tentuar të manipulojë me termin i punësuar në vend të termit bashkëpunëtor profesional me parakontratë për projektin e lartcekur, gjithashtu tenton te ndryshoj kriterin e DT-s, nga punëtor me parakontrata ne punëtorë te rregullt me liste te ATK-së”, thuhet ndër të tjera në ankesën e operatorit ekonomik.
“Pra arsyet e eleminimit tonë për kriter i cili nuk ka qenë i paraparë as në njoftim për kontratë e as në dosje të tenderit rezulton se është i kundërligjshëm dhe i qëllimshëm nga Artan Fejza dhe atë pse ja kemi prishur matematikat për përfitime personale dhe për shkak te inateve personale qe ka me neve si kompani”, thuhet ndër të tjera në ankesë.
Insajderi kishte siguruar komunikimet e Policisë së Kosovës me ATK’në përmes kërkesës për qasje në dokumente publike. Në shkëmbimin përmes emailëve, Policia e Kosovës kërkonte nga Administrata Tatimore e Kosovës të vërtetojë se emrat e lartcekur të inxhinierëve kanë qenë të regjistruar në periudhat e cekura në ‘Astraplan SH.P.K”.
Në listën që zyrtarja e ATK’së ia ofronte Policisë së Kosovës, dëshmohej se vetëm Sabri Zeqiri është paguar në muajin nëntor-dhjetor më 2022-ën. Pra, pasi që ishte hapur shpallja e ofertimit për tenderin për ndërtimin e stacionit policor në veri të Prishtinës. /Insajderi.org/