×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Ndryshim, plotësim, redaktim- Çka kontribuuan në aktakuzën e ish-krerëve të UÇK’së dy njerëzit kryesorë që u larguan nga Specialja?

    Insajderi
    06 June 2024 - 12:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjyqtari francez, Nicolas Guillou, ka konfirmuar dorëheqjen nga Gjykata Speciale përgjatë së enjtes.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjykata Speciale përmes njoftimit për media, duke bërë të ditur se Guillou ka marrë pozitë të re në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Më 6 qershor 2024, gjyqtari Nicolas Guillou i dorëzoi Presidentes Ekaterina Trendafilova dorëheqjen e tij si gjyqtar në listën e gjyqtarëve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHK). Dorëheqja e gjyqtarit Guillou vjen pas zgjedhjes së tij si gjyqtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe marrjes së detyrave të tij atje”, u tha në njoftim.

    Gjyqtari francez ishte gjyqtar i procedurës paraprake në rastet kundër Thaçit dhe të tjerëve, Salih Mustafës, Gucatit dhe Haradinajt, Pjetër Shalës dhe Haxhi Shalës, Januzit e Bahtijarit.

    Në nëntor të 2022-ës, dorëheqje nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë së Specializuar dha edhe Jack Smith. Ai u caktua si këshilltar i posaçëm në SHBA, ku po heton aktualisht dy procese gjyqësore. Njëri nga ta lidhet me ish-presidentin Trump.

    Në vend të tij erdhi Alex Whiting, i cili kishte qenë kryeprokuror në rastin e çështjes së gjykimit të Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haredin Balës.

    Çfarë vendimesh mori Guillou për aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK’së?

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor të 2020’ës dhe u bë publike më 5 nëntor të po atij viti.

    Më 22 korrik 2021, gjyqtari i procedurës paraprake Guillou, në dy vendime, pranoi pjesërisht mocionet e mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS’në të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën duke përjashtuar, ndër të tjera, përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

    ZPS’ja në krye me Jack Smithin ngriti aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator të 2021’ës. Më 23 dhjetor të 2021-ës, Guillou i dha leje Smithit për të ndryshuar aktakuzën në mënyrë që të përfshijë një numër pretendimesh të reja, përkatësisht vende shtesë në komunën e Suharekës, incidente të reja të pretenduara për përndjekje dhe vrasjeve në Gjilan si dhe incidente të reja të pretenduara të pjesëmarrjes personale të të akuzuarve në krimet e akuzuara.

    Më 22 korrik të 2022’ës, gjyqtari i procedurës paraprake pranoi pjesërisht, kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që pretendonte për defekte në aktakuzën e fundit dhe urdhëroi ZPS’në që të paraqesë një aktakuzë të konfirmuar të ndryshuar të mëtejshëm, me informacion shtesë për akuzat aktuale, deri më 30 shtator 2022. Informacionet shtesë kishin të bënin me emra përkatës, viktimat dhe vendndodhjet në paragrafët specifikë të aktakuzës aktuale.

    Më 29 shtator 2022, Guillou pranoi kërkesën e fundit të Smithit para dorëheqjes në raport me aktakuzën ndaj ish-krerëve. Kjo, për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt nga aktakuza dhe urdhëroi ZPS-në që këtë tërheqje të akuzave ta pasqyrojë në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u ngrit më 30 shtator të po atij viti në 2022-ën.  /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark