×
Analiza

Ndryshon Kushtetuta e BIK, Naim Tërnava godet 25 kryeimamë

Insajderi
16 January 2023 - 15:31
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës është në proces të ndryshimit të statutit të saj, që ata e kanë emëruar Kushtetuta e BIK. Insajderi ka siguruar një kopje të draftit që po diskutohet me krejt ndryshimet që pritet të bëhen. Ndryshmi kryesor do të jetë ai i heqjes së postit të kryeimamit, me ç‘rast 25 kryeimamë do të mbesin pa punë. Ndryshime do të ketë edhe në pjesë të tjera të këtij dokumenti.

Gazeta Insajderi

Një dekadë më parë, në vitin 2013, Bashkësia Islame e Kosovës kishte ndryshuar rrënjësisht aktin normativ me të cilin funksionon, që e quajnë Kushtetuta e BIK. Atë kohë, ndryshimi më i dukshëm, dhe i debatueshëm për afro dy vite, kishte qenë mandati i Kreut kryesor të BIK-ut, Myftiut.

Deri në ato ndryshime, një person mund të ishte Myfti veç për dy mandate, por atë vit u bë i pakufizueshëm, çka i ka lejuar Myftiut aktual, Naim Tërnava pastaj të zgjidhej në këtë post edhe disa herë radhazi.

Dhjetë vite më vonë, kjo bashkësi fetare ka hyrë edhe në një proces tjetër të ndryshmit të Kushtetutës së saj.

Insajderi ka siguruar një kopje të draftit që po shpërndahet mes zyrtarëve të saj dhe ku janë paraparë dyshime të tjera thelbësore që do ta ndryshojnë edhe formën se si qeveriset kjo bashkësi, bashkësia më e madhe fetare në vend.

S’ka më kryemimamë

Pos ndryshimeve kozmetike në fillim, përfshirë këtu edhe se si do të duket flamuri i BIK, kjo bashkësi për herë të parë ka propozuar që veprimtaria e saj të mbështetët në transparencë e drejtësi. Kanë propozuar një nen të veçantë për këtë.

 “BIK veprimtarinë e vet e mbështetë në parimet e:  drejtësisë, transparencës,  debateve para marrjeve së vendimeve në organet kolektive, konsultave në kryerjen e punëve, zgjedhjeve, emërtimeve, përgjegjësive dhe shkarkimeve”, është ky neni i ri që pritet i bashkëngjitet Kushtetutës së BIK-ut.

Kur flitet për përgatitjen e raportit financiar, Kryesia e BIK me kushtetutën e re i ka dhënë edhe dy muaj më shumë afat vetes, pra raportin me ndryshimet e reja, kurdo që miratohen, pritet ta bëj në dhjetor, dhe jo në tetor të vitit fiskal.

Një nga dyshimet e dukshme që do të bëjë BIK, nëse këto ndryshime miratohen nga Kuvendi i tij, është edhe zhdukja e postit aktual të kryeimamit. Pos Kryeimamit në qendër, edhe Këshillat e bashkësisë Islame kanë kryeimamët e tyre.

Pothuajse çdo këshill lokal i BIK ka edhe postin e kryeimamit, me përjashtime të vogla, dhe shto këtu që pas zgjedhjeve lokale në disa këshilla ka pasur telashe me përcaktimin e kësaj pozite, por që llogaritet që numri i personave që mbajnë këtë post arrin deri në 25.

“Neni 37. Personaliteti kryesor për çështje fetare në territorin e Këshillit është kryeimami. Personi që është emëruar kryeimam, sipas pozitës është edhe anëtar i Këshillit”, është e shkruar aktualisht në Kushtetutën e BIK, por propozimi i ri thotë që ky nen hiqet krejtësisht.

Për këtë, BIK ka planifikuar që ta fuqizojë rolin e Kryetarit të Këshillit lokal. Nga ajo që ishte post nderi, tash në post ekzekutiv, por Kryesia në qendër ende ruan kontrollin mbi caktimin e tij.

“Me Këshillin e BI udhëheq Kryetari, i cili është autoriteti kryesor fetar dhe autoritet ekzekutiv në kuadër të Këshillit të BI. Kryetarit e Këshillit të BI e emëron Kryesia e BI”, thuhet në ndryshimet e propozuara dhe po ashtu bëhet me dije në një tjetër nen të propozuar për ndryshim që mbi të lihet si mekanizëm kontrolli vetë Këshilli lokal, por që 1/3 e këtij këshilli e emëron vet Kryetari.

“Këshilli i BI jep udhëzime të përgjithshme për punën Kryetarit të Këshillit, propozon buxhetin dhe llogarinë përfundimtare, të cilën ia dërgon Kryesisë për miratim, i propozon Kryesisë shitblerjen dhe ndërrimin e pasurisë së paluajtshme të Bashkësisë Islame; miraton planin vjetor dhe raportin për punën Kryetarit,  jep pëlqimin për propozim buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të Këshillit, kujdeset për ruajtjen e varrezave, tyrbeve, përmendoreve të kulturës islame dhe pronës tjetër të Bashkësisë Islame, si dhe për përdorimin e drejtë të tyre; siguron mjete për funksionimin normal të Bashkësisë Islame duke grumbulluar anëtarësinë, kontributet dhe të ardhura të tjera”, thuhet në nenin që do të ndryshojë përmbajtje.

Kryetarit, tutje i jepen edhe fuqi tjera deri te propozimet direkte në Kryesi për përcaktimit të kuadrove brenda, përfshirë edhe imamët, por po ashtu edhe si Zyrtar Kryesor Financiar.

“(Kryetari) kujdeset dhe bënë ekzekutimin e vendimeve të Këshillit, është përgjegjës për afarizmin financiar të Këshillit, emëron 1/3 e anëtarëve të Këshillit të BI . kujdeset dhe mbikëqyr kryerjen e ceremonive fetare dhe mësimin fetar; kujdeset për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive, mesxhideve, mektebeve, bibliotekave e të tjera; nënshkruan pagesat e rregullta të të ardhurave personale dhe kontributet e kuadrove në territorin e vet; qeveris vakëfet dhe pronën tjetër; ekzekuton vendimet dhe sugjerimet e organeve më të larta të BI-së; u ofron ndihmë këshillave të xhematit dhe mbikëqyr punën e tyre;  i propozon Kryesisë emërimin, shkarkimin dhe transferimin e kuadrove të Këshillit; kryen me kohë detyrimet e veta materiale ndaj Kryesisë dhe i dërgon raport për punën e vet njëvjeçare; ofron ndihmë dhe drejtpërdrejt mbikëqyr punën e kuadrit të vet; organizon jetën e gjithmbarshme fetare, organizon solemnitetet fetare, si dhe ndihmon organizimin e haxhit dhe të umrës…”,  thuhet në ndryshimet e propozuara.

Mësim-besimi nëpër shkollat e vendit, BIK-u do kontroll edhe mbi plan-programet e arsimtarët e kësaj lënde

Edhe pse aktualisht nuk është pjesë e plan-programit të shkollave, së paku jo atyre publike, BIK-u me kushtetutën e re po përgatitet dhe për këtë pjesë. Një nen që është propozuar në këto diskutime të brendshme i jep fuqi BIK-ut që madje edhe të mbaj kontroll mbi plan-programet, nëse ndonjëherë mësim-besimi fetar futet në shkolla.

Këtu përfshihet pastaj edhe caktimi i mësimdhënësve jo nga drejtoritë përkatëse të arsimit, apo Ministria e Arsimit, por nga vetë BIK-u.

“Arsimimi fetar i myslimanëve bëhet edhe nëpër shkollat fillore dhe të mesme, me aplikimin e lëndës së mësimit-edukatës fetare në bazë të teksteve dhe të kuadrit të caktuar nga Bashkësia Islame”, thuhet në nenin që është propozuar që ti shtohet Kushtetutës.

BIK do të mbaj nën kontroll tarikatet

Në ndryshimet e propozuar të Kushtetutës, BIK ka vendosur që ti mbaj nën kontroll ende tarikatet.

Edhe pse Ligji për Liritë Fetare në Kosovë ende nuk e njeh si organizatë, Bashkësia e Tarikateve ka pasur disa prezenca publike. “Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK), është organizëm ombrellë që i përfaqëson dervishët dhe Tarikatet e tyre.

“Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK) është bashkësia fetare e dytë me madhësi në vend, dhe i përfshinë në veti tarikate (komunitetet e dervishëve) në Kosovë dhe diasporë. Në Kosovë ekzistojnë sot 8 Tarikate: Kaderi, Rifai, Saadi, Shazeli, Nakshibendi/Melami, Sinani, Bektashi, dhe Halveti. Shumica e Teqeve të Kosovës janë përfshirë me organizimin e sotëm të BTK. BTK është e ndërtuar mbi traditën e gjatë të kultivimit të besimit të kulluar, ndërtimit të ndërgjegjësimit fetar, shërbimit ndaj Krijuesit dhe shërbimit për komb dhe për atdhe”, thuhet në faqen e tyre në internet, ku edhe publikohen aktivitet që mbajnë.

Në publikimin e fundit që ata kanë në faqen e tyre bëjnë vërejtje se pse kjo bashkësi nuk po futet në Ligj, derisa , në një postim paraprak kanë treguar që Administrata Tatimore e Kosovës i ka pajisur tashmë me numër fiskal, sikurse që e kanë bashkësitë  tjera të njohura nga Ligji përkatës.

Por, BIK-ut edhe në ndryshimet e reja do ti mbaj brenda kësaj bashkësie.

“Neni 31.-Teqetë janë objekte në të cilat mund të kryhen ceremoni fetare të tarikatit përkatës, në pajtim me normat Islame”, thuhet në draftin e propozuar dhe shtohet se “rendet e dervishëve, mësimi dhe praktika e të cilëve është në harmoni me normat e Sheriatit, në kuadër të Bashkësisë Islame organizohen sipas rregullave të tarikatit përkatës dhe nën mbikëqyrjen e Këshillit të Bashkësisë Islame”.

BIK-u i njeh edhe ‘shejhlerët’, por po ashtu brenda ombrellës së kësaj bashkësie, jo si të veçantë.

“Shejhlerët e rendeve të dervishëve mund t’i kryejnë ceremonitë dhe aktivitetet fetare, nëse zgjedhjen e tyre e ka vërtetuar Kryesia e Bashkësisë Islame”.

Në fund të gushtit të vitit 2013 Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës kishte miratuar ndryshimet kushtetuese. BIK-u kishte kishte dërguar një komunikatë, pa shumë detaje.

Ndryshimet ishin bërë në gusht të vitit 2013, derisa Tërnavës pritje ti skadonte mandati në tetor.

Më vonë u bë e ditur që neni 49, paragrafi i dytë i Kushtetutës, në të cilin thuhet: “Kryetar i Kryesisë nuk mund të jetë i njëjti person më shumë se dy mandate”, ishte ndryshuar. Mandatet më nuk u kufizuan. Myftiu Naim Tërnava arriti që edhe disa herë të ri-zgjidhej pastaj.

Ai është ende Myfti i Kosovës./Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark