Por ata kanë hasur në indiferencën e përfaqësuesve të “Airport Partners”, të cilët kanë mbrojtur gjithashtu firmën e sigurisë ICTS. Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të ndryshme shtetërore, të cilët kanë diskutuar edhe rezultatet e testimit të sigurisë së aeroportit.
Pjesë të raportit janë bërë prezente nga drejtuesi i Autoritetit të Aviacionit Civil, zoti Aleksandër Lipivani, i cili ka treguar para të pranishëmve sesi në tre raste janë futur eksploziv, armë të ftohta dhe është thyer siguria pikërisht në derën ku ndodhi dhe hyrja e grabitësve.
Në këtë mbledhje përfaqësuesit e “Airport Partners” nuk japin ndonjë shpjegim për këtë thyerje të sigurisë, ndërsa nuk shprehen shumë të gatshëm që policia të ketë kontrollin direkt të kamerave të sigurisë në aeroport.
Ilir Alimema, “Airport Partners”: Faleminderit. Ne jemi në dijeni të gjithë kësaj, por nuk jemi në dijeni të raportit dhe pa u njohur me të mund të themi se nuk jemi në raport të barabartë. Kur raporti të vijë zyrtarisht dhe të njihemi konkretisht me gjetjet do të shprehim dhe ne sugjerimet tona.
Aleksandër Lipivani, Aviacioni Civil: Raporti do t’ju vijë por problemi është dhe sistemi i kamerave, të cilën e kemi diskutuar dhe dy-tre herë këtu në komitet dhe shohim se nuk ka asnjë përmirësim të tyre dhe nga të cilat punojnë vetëm 15% të kamerave. Kjo është e patolerueshme.
Ilir Alimema: Nëse kjo është pjesë e raportit do të keni përgjigje dhe për të.
Aleksandër Lipivani: Është apo jo pjesë e raportit nuk ka rëndësi. Kjo mangësi është gjetur dhe nga auditet e kryera nga ndërkombëtarët.
Genc Merepeza, Drejtoria e Kufirit: Së paku kjo është diskutuar në të gjitha takimet që kemi patur. Problem tjetër është dhe ai i rrethimit të perimetrit, i cili në disa vende është i dëmtuar.
Bahri Shaqiri, Ministria e Transporteve: Të gjitha këto probleme që tha z.Genc Merepeza janë të mbartura dhe nuk vihet re asnjë lloj ndryshimi nga ana e kompanisë tuaj.
Ilir Alimema: Nuk kam gjë tjetër përveç atyre që thash.
Aleksandër Lipivani: Ju jeni informuar për gjithçka nëpërmjet informacioneve të takimeve të zotit Bujar me zotin Vangjel Nikolla në ambientet tona. Tashmë gjithçka dihet dhe është e regjistruar nga kamerat.
Genc Merepeza: Në lidhje me problemet në Aeroportin e Rinasit, meqenëse kemi dhe përfaqësuesin e Aeroportit këtu, do të doja një përgjigje të sinqertë në lidhje me kompaninë që kryen shërbimin e sigurisë, e kryen siç duhet ajo detyrën apo jo? Ne duhet të punojmë shumë që të mos themi “o bobo” nesër.
Ilir Alimema: Unë ju konfirmoj se bën punë të shkëlqyer, është viti i 11 që kjo kompani është aty dhe është viti i 11 që kjo kompani është e liçencuar dhe e njohur nga Autoriteti nën mbikëqyrjen e vazhdueshme. Drejtuesit e kësaj kompanie janë te liçencuar po nga Autoriteti, kështu që unë nuk mund të them gjë tjetër. Përsa i përket problemit të aksesit të kamerave, ne kemi një detyrim kontraktor që është kontrata e konçesionit dhe çfarë do të thotë, që ju të keni akses aty tek ato kamera.
Genc Merepeza: Të duam të kemi akses për të marrë pamjen në kohë reale, pse unë duhet të pres që të marrë një telefonatë tënden që po ndodh ngjarja, ose të ketë një punonjës të policisë të akomoduar në ambientet e sallës së kamerave me numrin e vetë, me butonin e vetë që të japë alertin në momentin e duhur.
Ilir Alimema: Pa e paragjykuar kërkesën, por mendoj se një kërkesë specifike duhet t’i drejtohet TIA-s të ardhur nga autoriteti juaj për këtë aksesin e kamerave, si ju e konceptoni dhe çfarë kërkoni. Pra, të detajuar që çfarë ne mund të bëjmë dhe çfare ju duhet të bëni.
Genc Merepeza: E kemi parë në sallën e kamerave që ju keni monitorët dhe ju na keni thëne që s’keni ku mund të qëndroni pasi ambienti është i vogël dhe janë operatorët.
Teuta Krasniqi, eksperte e pavarur e sigurisë: Se si ka mundësi që policia mos të këtë akses mbi këto kamera. Nëse ndodh diçka në Aeroportin e Tiranës askush nuk thotë që ka ndodhur kjo gjë dhe se në aeroport është një kontraktues gjerman. Nëse tashmë do te këtë një kontraktues tjetër, unë mendoj se patjetër duhet të rishikohet mirë kontrata, roli i policisë në atë kontratë duhet të përcaktohet qartë në draftin që do të përgatitet që policia të këtë akses në gjithë kamerat e aeroportit./TCH