
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një ankese të paraqitur në Gjykatën e Apelit, ka kërkuar ashpërsimin e dënimit ndaj Orges Zhugollit, i cili më 4 qershor 2025 u dënua me 20 vjet burgim nga Gjykata Themelore për vrasjen e ndodhur në Gllamnik të Podujevës.
Ngjarja për të cilën Zhugolli u shpall fajtor ndodhi më 12 shtator 2023, kur ai dyshohet se privoi nga jeta tani të ndjerin A.Zh, pas një konflikti që kishte ndodhur në komunikacion.
Përveç kërkesës për ashpërsim të dënimit, Prokuroria në ankesën e saj ka kërkuar që Zhugolli të shpallet fajtor edhe për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”, për të cilën ishte liruar nga akuza nga Gjykata Themelore.
Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Apelit, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Naim Rudari, qëndroi pranë ankesës së parashtruar më herët nga mbrojtja, duke theksuar se rasti duhet të kthehet në rigjykim, në mënyrë që të sqarohen plotësisht rrethanat dhe të vërtetohet me saktësi çfarë ka ndodhur.
Në përfundim të seancës, u bë e ditur se palët do ta pranojnë vendimin e Gjykatës së Apelit brenda afateve ligjore.
Në seancën e 27 majit 2025, Zhugolli u shpall fajtor për veprën penale të “Vrasjes”, ndërsa u lirua nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”, për shkak se nuk është provuar se ka kryer veprën penale. Më pas, më 4 qershor 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin ndaj Orges Zhugollit, duke e dënuar me 20 vjet burgim.
Ndërkaq, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion, raporton Betimi për Drejtëesi, transmeton Insajderi.