“Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës”, ka deklaruar Gabriel Escobar, duke kërkuar që me urgjencë të nisin diskutimet për normalizim.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka kërkuar që urgjencë duhet të nisin diskutimet për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas shtyrjes së zgjedhjeve të kryetar komunash e asamble në komunat veriore të Kosovës deri në muajin prill, Escobar tha se deri atëherë veçse do të nisin edhe diskutimet për krijimin e asociacionit me komunat serbe, marrëveshje kjo e nënshkruar me 2013, por që vazhdon të kundërshtohet fuqishëm nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Insajderi.
“Ajo se çfarë pres të ndryshojë, është që fillimisht të nisin me urgjencë diskutimet për normalizim. Shpresoj që të kenë nisur deri atëherë. Së dyti, që deri në prill veçse t’i kemi të nisura diskutimet për Asociacionin”, tha Gabriel Escobar.
Emisari Escobar tha se do të ketë Asociacion dhe se Shtete e Bashkuara të Amerikës do të jenë pjesë e këtij procesi.
“Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit. Është duke u dëmtuar biznesi, është duke u dëmtuar e ardhmja e të rinjve, të gjithë duan të shohin që këto dy shtete të ecin përpara”, tha Escobar në intervistën për Radio Evropa e Lirë.
Gabriel Escobar, edhe pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka konfirmuar për mediat se është folur për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe propozimin franko-gjerman.
“Ne duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë shumë të qartë këtë. Shpresoj se do të kemi një zgjidhje shumë afër në të ardhmen në këtë krizë”, tha ai.
Gjithashtu, Escobar ka thënë se Kurtit ia ka shprehur mbështetjen e tij që të lëvizë drejt propozimit franko-gjerman.
“Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian është këtu. Ai ka mbështetjen time për të çuar përpara planin franko-gjerman”, deklaroi Escobar. /Gazeta Insajderi