Komuna e Prizrenit ka shpallur fitues të thirrjes për ndarjen e vijave të transportit publik, kompaninë “EFA TOURISM LL.C.”, që del të jetë formuar vetëm katër muaj para se ta fitoj këtë thirrje. Një operator ka dorëzuar ankesë në Komunë, pasi dyshojnë për kurdisje të tenderit. Edhe opozita atje ka ngritur dyshimet e njëjta, siç thonë ata tenderi u bë në dobi të dostave të Shaqir Totajt. Madje, numri kontaktues që është vendosur nga kompania fituese, sipas tyre është i zv. Kryesuesit të Kuvendit Komunal, Levent Buş. Ndërsa, Komuna e Prizrenit ka zgjedhur të hesht lidhur me këto akuza.
Gazeta Insajderi
Me 14 gusht, Komuna e Prizrenit, ka shpallur fitues të thirrjes për ndarjen e vijave të transportit publik të udhëtarëve në komunikacionin urban për vitin 2024-2025, kompaninë, “EFA TOURISM LL.C.“.
Kjo kompani sipas regjistrimit në ARBK, del të jetë formuar me 22.04.2024, vetëm katër muaj para se ta fitoj thirrjen.
Lidhur me këtë, thirrje një kompani është ankuar në Komunën e Prizrenit.
“Skorobista Skorobishtë”, në ankesën e siguruar nga Gazeta Insajderi, tha se nga aspekti ligjor shpallja është jo ligjore.
“Duke e parë nga aspekti ligjor shpallja publike për ndarjen e vijave për komunikacion urban është jo ligjore.Sa i përket pikës II të shpalljes: Në këtë shpallje janë bashkëngjitur edhe skicat e vendaljeve të autobusëve si dhe i itenerari i linjave përkatëse të cilët vetvetiu dëshmojnë se këtu bëhet fjalë për linjat urbano-periferike dhe jo për linjat urbane, të cilat janë të rregulluara sipas ligjit 04/L-179“, thuhet në ankesë.
Tutje, kjo kompani tha se kriteret që janë kërkuar të plotësohen, ngritin dyshime për kurdisje.
“Ku janë parashikuar kriteret të cilat duhet ti plotësojnë aplikantët mund të shihen disa dyshime në kurdisje të kësaj shpallje, fillimisht kemi një afat mjaftë të shkurtër prej 15 ditëve për të aplikuar në këtë shpallje, ku një operatorë seriozë nuk ka kohë të mjaftueshme që ti plotëson këto kritere me standarde të kërkuara. Pastaj del dyshimi ku në vërejtje të kësaj shpallje është cekur se aplikanti i parë do të merret parasysh dhe do të ketë përparësi“, thuhet në ankesën e dorëzuar në Komunë.
Opozita ngrit dyshime kurdisjen në dobi të dostave të Shaqir Totajt
Lëvizja Vetëvendosje, dega Prizren, ka ngritur dyshime se kjo thirrje për vija të transportit mund të jetë e kurdisur.
“Keqpërdorimet dhe manipulimet në Komunën e Prizrenit kanë marr përmasa drastike. Përveç keqqeverisjes dhe vjedhjes së parasë publike, kurdisja e tenderëve në dobi të dostave të Shaqir Totajt nuk ka të ndalur. Me rastin e SHPALLJES PUBLIKE PËR NDARJEN E VIJAVE Ë TRANSPORTIT PUBLIK TË UDHËTARËVE NË KOMUNIKACIONIN URBAN PËR VITIN 2024 – 2025, në njoftimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ofertave të datës 14.08.2024, përfitues është shpallur operatori “EFA TOURISM LL.C.”, thanë nga LVV.
Nga kjo parti kanë thënë, se kompania që ka fituar tenderin është formuar në prill të këtij viti.
Madje, sipas tyre numri që është vendosur në ARBK, në regjistrimin e këtij biznesi, është numri i Zv. Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prizrenit Levent Buş.
Për të cilin thanë se është person i afërt me Shaqir Totajn.
Sipas VV-së, dega Prizren, autobusët e kompanisë fituese janë sjell, ende pa dal rezultatet e shpalljes.
“Në regjistrat e Agjecisë për Regjistrimin e Bizneseve, operatori “EFA TOURISM LL.C.” figuron të jetë themeluar me datën 22 prill 2024, në emrin e personit të quajtur Emin Altunç. Ajo cka është e habitshme është se numri kontaktues i biznesit në fjalë është i Zv. Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prizrenit Levent Buş.
“Levent Buş ndonëse është anëtarë I KDTP-së, është person i afërt me Shaqir Totajn dhe në Komitetin për Politikë dhe Financa përfaqëson PDK-në.Poashtu, me të dhënat që disponojmë nga sinjalizuesit e këtij skandali, autobusët nga kjo kompani janë sjellur në Prizren para se të shpallet fituesi dhe qëndrojnë në hapësirat e një kompanie private“, thuhet në reagimi e kësaj partie në Prizren.
Gazeta Insajderi ka pyetur Komunën e Prizrenit, për këto akuza, të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Ndërsa edhe numri kontaktues i kompanisë, nuk e ka hapur telefonin./Insajderi.org/