Në Francë propozohet ndalimi i TikTok për fëmijët nën 15-vjeçarë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Në Francë propozohet ndalimi i TikTok për fëmijët nën 15-vjeçarë

    Insajderi
    11 September 2025 - 18:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një raport i Parlamentit të Francës për rrjetin social, TikTok, ka rekomanduar të enjten ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare dhe vendosjen e një “orari policor digjital” për të rinjtë e moshës 15 deri në 18-vjeçare, në përpjekje për ta frenuar ndikimin negativ mbi shëndetin e tyre.

    “Një ndalim i tillë do të dërgonte një mesazh si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit, se rrjetet sociale nuk janë të padëmshme para moshës 15-vjeçare”, tha për AFP Laure Miller, raportuese e komisionit parlamentar hetimor.

    Komisioni, i ngritur në mars, ka intervistuar familje viktimash, menaxherë të platformave sociale dhe influencerë për të analizuar algoritmin e TikTok-ut, një aplikacion jashtëzakonisht i popullarizuar mes të rinjve, i cili “kopjohet nga rrjete të tjera sociale”, sipas Millerit.

    Ai u krijua pas proceseve ligjore kundër TikTok-ut në Francë në fund të vitit 2024, pas një padie nga shtatë familje që akuzuan platformën se ekspozon fëmijët ndaj përmbajtjeve që mund t’i nxisin drejt vetëvrasjes.

    “Është e vështirë për ne prindërit ta kontrollojmë këtë gjë”, tha për AFP Geraldine, 52-vjeçare, dhe një nga paditëset që kërkoi të mbetej anonime.

    Ajo humbi vajzën e saj Penelope, 18-vjeçare, në shkurt të vitit 2024, e cila kreu vetëvrasje. Më pas, ajo zbuloi se vajza kishte publikuar dhe shikuar në TikTok video me përmbajtje që nxisnin vetëlëndim.

    TikTok pretendon se siguria e të rinjve është prioriteti kryesor i kompanisë.

    Raporti paralajmëron se, nëse brenda tri vjetësh rrjetet sociale nuk përmbushin detyrimet ligjore, sidomos ato të përcaktuara në Rregulloren Evropiane për Shërbimet Digjitale (DSA), mund të shkohet deri në ndalimin e përdorimit për personat nën 18-vjeçarë.

    Disa vende të BE-së, përfshirë Francën, Spanjën dhe Greqinë, kohët e fundit i kanë bërë thirrje Brukselit për rregullim më të rreptë të platformave online për fëmijët, për shkak të shqetësimeve mbi varësinë, bullizmin digjital dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes.

    Menaxherët e TikTok-ut, i cili është pronë e kompanisë kineze ByteDance, theksuan se sistemi i vëzhgimit i bazuar në inteligjencën artificiale ka mundësuar heqjen e 98 për qind të përmbajtjeve që shkelin rregullat e përdorimit në Francë vitin e kaluar.

    Megjithatë, sipas komisionit, përmbajtjet e dëmshme vazhdojnë të qarkullojnë, duke shkaktuar, ndër të tjera, humbje të vëmendjes, çrregullime të gjumit dhe probleme me vetëvlerësimin.

    Për të rinjtë e moshës 15 deri në 18-vjeçare, raporti propozon një “orë policore digjitale”, sipas së cilës rrjetet sociale do të bëheshin të paqasshme nga ora 22:00 deri në orën 08:00./Europa e Lirë/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark