Nuk është kohë e largët kur Albin Kurti shihej në dreka të thjeshta me njërin nga përfaqësuesit e komunitetit mysliman në Kosovë. Hante pasul bashkë me Mulla Osmanin. Por tash si kryeministër, që pushtetin e mori me mbi 50% të votave, po avancon në parti njerëz që kanë përzën nga VV-ja anëtarët islamist. Edhe vet e tha para një muaji “Ta luftojmë thashethemin se Vetëvendosja është parti islamiste”
Albin Kurti, në kohë fushate nuk e kishte fare problem të ulej në oda e shtëpi të qytetarëve të thjeshtë. Hante edhe ushqime siç hanë shumica e qytetarëve të Kosovës.
Madje është e famshme fotografia e drekës me pasul, lëng, turshi e bukë pogaçe, si kjo në drekën me njërin nga përfaqësuesit e myslimanëve – Mulla Osmanin.
Kurti e dinte se takimi me hoxhën e Drenasit, Osman Musliu në sytë e qytetarëve e afronte atë më shumë me komunitetin mysliman, që janë mbi 90% e kosovarëve, shkruan Insajderi.
Krejt kjo ishte sa Albin Kurti ndodhej në opozitë e i duhej të kërkonte votat e qytetarëve të Kosovës, sepse e kishte të rëndësishme çdo votë për të marr pushtet.
Tash kur e ka marrë pushtetin me mbi 50% të votave, Albin Kurti duket ta ketë problem “islamizmin” brenda partisë.
E tha edhe vet para një muaji, në ditën kur shpalli kandidaturën për edhe një mandat në krye të VV-së. Para ministrave, deputetëve e strukturave tjera të partisë e deklaroi se duhet “Ta luftojmë thashethemin se Vetëvendosja është parti islamiste”.
Kurti në parti i ka dhënë pozitë shumë të rëndësishme një personi që muajt e fundit ishte aktivizuar për të përzënë nga strukturat e partisë islamistët.
Alim Rama këtë vikend, në Vetëvendosje ka marrë një pozitë të rëndësishme. Atë të sekretarit organizativ të partisë, shkruan Gazeta Insajderi.
Rama u ngjit në këtë pozitë si “shpërblim” ndaj betejës me anëtarët islamist të partisë, që nuk ishin tërhequr nga bindja se nuk duhej të bëhej ndryshimi i Kodoit Civil – pika që njihte martesat e gjinisë së njëjtë.
Ai ishte caktuar nga partia në pozitën e Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm, derisa detyrë kryesore kishte që të verifikonte kandidaturat e secilës degë të Vetëvendosjes nëpër komuna.
Suksese i Ramës përzënia e islamistëve nga postet në parti
Albin Kurti ishte nervozuar shumë kur një numër i madh i deputetëve kishin refuzuar ta votonin Kodin Civil që lejon martesat mes të njëjtës gjini. Njeriu që kishte fituar mbi 50 përqind të votave nuk kishte fuqi vendim marrëse që ta shtynte përpara votimin e tij në parlament. Shpërfillja e fuqisë së tij e kishte nervozuar kryeministrin.
I kishte kërcënuar deputetët me bindje fetare se nuk do t’i fuste në zgjedhjet e ardhshme në listat për deputetë. Ky kërcënim nuk kishte kryer punë, shkruan Gazeta Insajderi.
Madje, deputetet e anëtarët e partisë me bindje fetare synonin edhe pozita drejtuese në parti. Kishin konkurruar për të drejtuar degët e partisë, në zgjedhjet e brendshme.
Kurti ishte mobilizuar për t’i ndaluar. Njeriu që kishte bërë betejë frontale kundër tyre ishte Alim Rama. Ai ishte caktuar nga partia në pozitën e Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm. Detyra e këtij komisioni ishte që të verifikonte kandidaturat e secilës degë të Vetëvendosjes.
Një pjesë e kandidatëve ishin eliminuar me arsyetimin se kanë bërë veprime që nuk janë në përputhje me vlerat partiake.
Kishin shpërthyer ankesat kundër këtij komisioni. Ankesat kishin një të përbashkët: Kandidatët e refuzuar ankoheshin se janë marrë në pyetje për qëndrimet e tyre për Kodin Civil.
Me 8 shtator ish-drejtori i Urbanizmit në Prizren, Beni Kizolli pati njoftuar se është eliminuar nga gara për të kreun e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, ndërsa ka njoftuar se për këtë e ka njoftuar një zyrtar nga KZP-ja.
Përveç se e quajti vendim arbitrar dhe shkelje të statutit, Kizolli theksuar se me eliminimin e tij, po degradohet demokracia brenda Lëvizjes, duke e shndërruar garën me një kandidat të vetëm, me parimin “një kandidat një votë”.
Për më tepër Kizolli tha se para eliminimet nga gara kishte marrë një telefonatë, prej një zyrtari të KZP,-së, i cili kishte kërkuar nga ai sqarime për qëndrimin rreth Kodit Civil, përkatësisht nenin për komunitetin në fjalë dhe “kjo ishte përgjigja ime, lidhur me pjesën e Kodit Civil”.
“Jam “pro” Kodit Civil. Jam “Kundër” nenit për komunitetin në fjalë, ngase nuk ka pasur sqarime për qëndrimin final të Lëvizjes për këtë çështje. Në këtë pikë, veçanërisht për çështjen e birësimit që nesër do të rregullohet me ligj, i cili do të ketë mbështetje në këtë KOD, jam KUNDËR”.
“Po, kam status dhe kam përkrahur faqen “Familja”. Po të kishte kaluar në Parlament, nuk kam pasur ndërmend të distancohesha nga Lëvizja, por edhe trajtimin e Lëvizjes për qëndrimin tim ndaj Kodit Civil dhe distancimin nga unë, nuk po e vlerësoj si të shëndoshë”, pati deklaruar Kizolli pas përjashtimit nga gara.
Në shtator nga gara ishte përjashtuar edhe Shkelzen Bislimi.
Ky anëtari i dorëhequr i Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, thoshte se ai u eliminua nga zyra qendrore e partisë, pasi sipas tij “është një grup në qendër, që po vendos për eliminime”.
Bislimi pati deklaruar se e kishin ftuar në zyre ta lexoj arsyetimin e eleminit por se zyrtarë të VV-së I kishin thënë se mund ta lexoj por jo ta ketë kopjen.
“Më ftuan në zyrën e Lëvizjës në Lipjan. Më thanë se duhet të vish për ta lexuar arsyetimin, por jo me pasë kopje, jo me e fotografu dhe jo me e dërgu në email”.
“Është një grupacion aty që bën dallime, bën dasi. Përderisa po e favorizojnë një kandidat. Ai është edhe deputet, e ka një përparësi. Ndoshta edhe frikësohen se po largohet”, tha ai. /Gazeta Insajderi