Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka folur rreth raportit mes Kosovës dhe aleatit të saj, SHBA-ve.
Çitaku tha se mosvizitat e zyrtarëve në Shtëpinë e Bardhë për më shumë se tre vite janë mesazhe diplomatike.
“Hera e fundit që kemi pasur një zyrtar në Shtëpinë e Bardhë është para më shumë se tre vitesh dhe këtë e them me keqardhje sepse ne betejën e bëjmë këtu brenda për çështje të brendshme dhe mua sigurisht nuk më vjen mirë që as presidentja e as kryeministri i vendit nuk janë pritur ende në Shtëpinë e Bardhë , por, në diplomaci këto janë mesazhe, kjo është gjuhë e koduar e komunikimit.”, ka thënë Çitaku në një intervistë për Klan Kosova.
Ajo tutje tha se më herët një gjë e tillë nuk ka ndodhur në qeverisjet e kaluara.
“Më parë nuk ka ndodhur që të kalojë viti, assesi viti, që të mos kemi së paku një takim në Shtëpinë e Bardhë qoftë me Zëvendëspresidentin ose me Presidentin.
Çitaku shtoi se “ne kemi nevojë për SHBA-të dhe jo SHBA-të për ne”.