
Ndërmarrja Publike Lokale “KU’ZINA” Sh.A. ka njoftuar se do të përfundojë marrëdhënien e punës me të gjithë punëtorët me kontrata për punë dhe detyra specifike. Vendimi është marrë nga Bordi i ndërmarrjes në mbledhjen e datës 15 maj 2025, ku thuhet për shkak të situatës së rënduar financiare të krijuar si pasojë e mosmbështetjes financiare nga Komuna e Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar, marrëdhënia e punës do të përfundojë më 24 qershor 2025, ndërsa vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.
KU’ZINA e konsideron këtë masë si të domosdoshme për të përballuar vështirësitë financiare dhe për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve thelbësore për institucionet edukativo-arsimore.
“Ju falënderojmë për angazhimin dhe kontributin tuaj gjatë periudhës së bashkëpunimit me NPL KU’ZINA Sh.A., dhe ju inkurajojmë të aplikoni për pozita të mundshme në të ardhmen”, thuhet në njoftim.