Në mesin e 27 kosovarëve të arrestuar sot nga autoritetet italiane figuron edhe emrin i Princ Dobroshit i njohur me nofkën “Peshkaqeni”.
Përveç Dobroshit në pranga ranë edhe 26 kosovarë të tjerë, 90 shqiptarë nga Italia si dhe 237 italianë.
Të njëjtit akuzohen se janë pjesë e një mafieje që merren me trafikimin dhe shpërndarjen e tonelatave të drogës nëpër vendet më të njohura të Europës. Po ashtu ata akuzohen edhe për prodhim dhe tregtim të paligjshëm të një përzierje të paracetamolit dhe qitro-kafeinës, me ngjyra artificiale dhe që përdoreshin për të përzierë heroinën.
Por, kush është Princ Dobroshi apo bosi i mafias shqiptare?
I njohur me nofkën “Peshkaqeni”, Princ Dobroshi nga Peja kishte zënë për vite me radhë ballinat e raportimeve të medieve në Norvegji e Çeki. Ai njihej si bosi i mafias shqiptare të drogës, për çka u arrestua dhe dënua me 19 vite burgim. Mediat në këto dy vendi i referoheshin me nofkën “Peshkaqeni”.
Arriti të arratisej nga burgu në Norvegji pasi që e korruptoi rojën e burgut. Pas kthimit në Kosovës filloi te merret me biznesin e lojërave të fatit, shkruan Insajderi.
Dhjetë muaj më parë ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në Pejë, pasi ishte përfshirë në një rrahje në këtë qytet.
Dobroshi ishte dënuar për përfshirje në trafikun e drogës, saktësisht heroinës. Për këtë dhe vepra të tjera Dobroshit i ishte ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Evropian, shkruan Insajderi.
Ai ishte larguar nga Kosova në vitin 1988. Fillimisht kishte shkuar në Gjermani, ku ishte marrë me biznesin e kazinove. Pas Gjermanisë ai kishte shkuar në Norvegji.
Në vitin 1993, Princ Dobroshi, u arrestua nga policia norvegjeze nën dyshimin për trafik droge. Në një rrëfim për mediat në Kosovë pas kthimit të tij, ai thoshte se kishte qenë në kazino kur shoku i tij me emrin Zhuzepe i kishte kërkuar para.
“Më tha nëse mund t’ia dërgoja 130 mijë marka. Kur jam afruar afër veturës për t’ia dhënë paratë njerëzve të tij, është shfaqur policia. Në makinën që më priste mua ishin 5.4 kilogram heroinë dhe rasti shkoi në gjykatë ku u dënuam”, pati thënë Dobroshi për Gazetën Jeta në Kosovë.
Gjykata në Norvegji në vitin 1994 e kishte dënuar atë me 14 vite burgim.
Dobroshi, kishte arritur të ikur nga burgu në vitin 1997, pasi që kishte korruptuar rojën e burgut. Pas ikjes, sipas shefit të antidrogës, ishte fshehur në Kroaci ku kishte bërë një operacion plastik në fytyrë.
Autoritetet policore çeke kishin lëshuar një njoftim të përbashkët kur kishin zënë Princ Dobroshin në Pragë pas ikjes së tij nga burgu në Norvegji.
Në aksionin e koduar “Kafaz”, operacioni i të cilit kishte zgjatur dy vjet, e që ishte mbështetur nga policia suedeze, daneze e veçanërisht ajo norvegjeze, kishte rezultuar me kapjen e Dobroshit, me 23 shkurt të vitit 1999.
Prej 99-es kur ishte rikthyer në qeli, Dobroshi kishte qëndruar deri në vitin 2005 duke rrumbullakësuar nëntë vite burg përkundër dënimi prej 14 vite burgim. Dy vite kishte ikur nga burgu ndërsa tri vite tjera i ishin hequr nga autoritetet norvegjeze.
Në vitin 2005 kur kishte kryer burgun, Princ Dobroshi ishte përcjellur nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë.
Kur u rikthye për të jetuar në vendlindjen e tij në Pejë, ai iu rikthye biznesit të lojërave të fatit.
Në vitin 2012, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ai hapi biznesin “StarLotoSport”, e cila për aktivitet kishte bastvënien. Pas 14 ditësh ka bërë kërkesë për ndërrimin e emrit të biznesit duke e regjistruar si “Eurolive-24”. Kjo kompani është e regjistruar për bastvënie, bixhoz si dhe kafe./Insajderi.org
Lexo edhe:
Operacioni “Karaburuni”: Emrat e 27 kosovarëve që u kapën në rrjetin e drogës në Itali