Drejtori i prokurimit në Komunën e Skenderajt, Haxhi Bejta javën e kaluar u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim. Por, që Komuna ende nuk e ka shkarkuar, as Bejta nuk dha dorëheqje. Ai po vazhdon ta mbajë pozitën. Bejta nuk ishte tërhequr nga pozita edhe pasi kishte pensionuar por edhe pas vendimit të Gjykatës ai nuk po ‘lëshon’ rrugë.
Gazteta Insajderi
Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten shpalli aktgjykimdënues ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, duke e dënuar me 3 vjet burgim efektiv për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Bashkë me Jabllanoviqin, aktgjykimi dënues u shpall edhe për 13 të akuzuarit tjerë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”. Pjesë e këtij grupi, ishte edhe Haxhi Bejta, i cili aktualisht mbanë pozitën e drejtorit të prokurimit në Komunën e Skenderajt.
Bejta u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim.
Si u bë Bejta drejtor në Komunën e Skenderajt?
Fadil Nura pas marrjes së mandatit, kishte marrë vendim të jashtëligjshëm për emërimin e Haxhi Bejta në udhëheqje të Zyrës së Prokurimit.
Bejta në këtë zyre kishte punuar për disa vite, deri në largimin e tij nga puna nga komisioni disiplinor për shkelje të rëndë të ligjit për shërbyesit civil, në kohën e qeverisjes Jashari.
Haxhi Bejta ishte larguar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ai me vendim të Nurës në vitin 2021 u rikthye përsëri.
Bejta edhe është edhe i moshës për pension, por që nuk ka liruar pozitën. Vendosmërinë e njëjtë po e tregon edhe tash, pas vendimit të Gjykatës ai nuk po jep dorëheqje. Ndërsa edhe Komuna ende nuk e ka shkarkuar.
Pse nuk po shkarkohet Haxhi Bejta?
Amir Lushtaku zëdhënës në Komunën e Skenderajt, tha se arsye se pse ende nuk është marrë asnjë vendim është se kryetari Fadil Nura nuk ndodhet në Kosovë.
I pyetur se me çfarë bazë, Bejta ka mbajtur pozitën pasi është në moshën për pension, Lushtaku tha se ka ndryshuar vendimi nga shërbyes civil ai është një emëruar politik.
“Kryetari për momentin nuk është Kosovë, ai është në një udhëtim zyrtar, kur të vjen do ta shqyrtojë rastin. Ndërsa sa i përket pensionimit ai ka arrit moshën por që me vendim ai më nuk është shërbyes cilivi, është i emëruar politik dhe mund të qëndrojë në pozitë edhe pas moshës së pensionimit“, tha Lushtaku për Insajderin.
Por, nga opozita atje mos shkarkimin e Bejtës po e shohin ndryshe.
Kryetari i Listës Ideal në Skenderaj, Nuredin Lushtaku, deklaroi për Insajderin se Komuna nuk ka guxim për ta shkarkuar Bejtën.
“Bejta po qëndron në pozitën e drejtorit sepse nuk kanë guxim për ta shkarkuar. Ai ishte emëruar qysh në fillim jashtëligjshëm“, tha Lushtaku për Insajderin.
Në ndërkohë, kryetari Fadil Nura, javën e kaluar kishte deklaruar se Bejta do tërhiqet të hënën, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Ai sigurisht që tërhiqet prej përgjegjësive që ka deri në një vendim të shkallës së dytë. Besoj të hënën sigurisht personi në fjalë në këtë rast zotëriu do të tërhiqet prej përgjegjësive që ka. Të hënën me vjen aktgjykimi edhe personi tërhiqet, dhe është e vërtetë ajo çka është, po derisa ta kem aktgjykimin në dorë edhe formal, atëherë masat do të jenë konform përgjegjësive politike, morale dhe ligjore”, kishte deklaruar Nura.
Dënimi ndaj Haxhi Bejtës bashkë me grupin e Dragan Jabllanoviqit
Nën akuzën për pjesëmarrje në grupin kriminal dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, bashkë me ish-kryetarin e Leposaviqit Dragan Jabllanoviq, me 2 vjet e 6 muaj burgim u dënua edhe Haxhi Bejta.
Aktakuza e ngarkonte Haxhi Bejtën për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar bashkë me ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzoheshin për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.
Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet./Insajderi.org/