Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ambasadën britanike në Kosovë dhe Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, kanë bërë sot hapjen e Qendrës për Këshillim në Karrierë, e cila ka për qëllim orientimin e nxënësve kah shkollat profesionale, në mënyrë që të jenë të kualifikuar për tregun e punës, si dhe ndërmjetësimin mes bizneseve që kanë nevojë për punëtorë të kualifikuar.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ideja për këtë shkollë ka lindur nga nevoja për të krijuar kuadër profesional për biznese në Kosovë, sepse mungesa e këtij kuadri edhe po i hendikepon bizneset.
“Synimi ynë është të identifikojmë nevojën e tregut të punës dhe pastaj shkollat profesionale dhe kualifikimin e nxënësve t’ia përshtatim këtij tregu. Kosova ka rreth 70% popullsi nën 35 vjet dhe kësaj shoqërie vibrante, dinamike, duhet t’i ndihmohet që ta gjej potencialin e vet, duke i pasë parasysh edhe storiet e suksesit që po na vijnë nga e gjithë bota”, tha Ahmeti.
Në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës, në një fjalë rasti Ambasadori Britanik Ruairi O’Connell tha se e gëzon fakti që po fillon një projekt konkret për të rinjtë në Prishtinë. Ai tërhoqi vërejtjen tek problem i papunësisë tek të rinjtë, e cila sipas statistikave është rreth 61%, e që është shifër alarmante.
Ndërkaq, Drejtori i Zyrës Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë, Patrick Etienne tha se kjo Qendër do të ndihmojë në zbutjen e varfërisë dhe papunësisë, e cila është kaq e madhe në të gjithë vendin, pra edhe në Prishtinë./Insajderi