Qeveria e Kosovës po i pret përfaqësuesit e Listës Serbe për të filluar hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se ka tentuar tri herë t’i thërras deputetët e kësaj liste, ministrat dhe ekipin menaxhues, për të filluar procesin e hartimit të statutit të Asociacionit të Komunave Serbe ashtu siç është paraparë me këto marrëveshje dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për të proceduar me këto çështje, që janë obligim i tyre.
Kreu i ekzekutivit theksoi se ata kanë vlerësuar se mbi bazën e këtyre marrëveshjeve, Statuti duhet të hartohet dhe punët duhet të bëhen në Kosovë, sepse ata kanë marrë përgjegjësi për këtë.
“Kemi pritur dhe presim që përfaqësuesit serbë të kyçen në këtë proces, sepse është një proces i cili gjeneron nga një marrëveshje që ne e kemi arritur në Bruksel dhe dëshiroj që edhe në Qeveri të theksoj gatishmërinë tonë që në çdo moment të punojmë në këtë proces, të punojmë mbi bazën e marrëveshjeve, mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe të sigurojmë edhe Brukselin e edhe partnerët tanë se jemi të gatshëm që ta përmbushim këtë detyrim që e kemi marrë”, tha Mustafa.
Mirëpo, bojkotimi i institucioneve të Kosovës nga përfaqësuesit serbë me ndikimin e Serbisë, sipas Mustafës po zvarritet themelimi i AKS-së.
“Natyrisht që mbetet përgjegjësi e tyre dhe po ashtu është problem edhe i ndikimit të Serbisë që ata po e prolongojnë këtë. Në qoftë se ajo vazhdon të prolongohet në këtë formë, ajo tregon se ata nuk janë të interesuar shumë për këtë çështje. Interesimi tash për ta mbajtur peng këtë çështje, si duket është më tepër i Serbisë, dhe nuk është në asnjë rast interesim i Kosovës, sepse ne jemi në gjendje në çdo moment që t’i përmbushim detyrimet tona ashtu siç i kemi marrë në Bruksel dhe ashtu siç i kemi nënshkruar marrëveshjet dhe siç kanë vendosur organet më të larta kushtetuese në Kosovë”, tha Mustafa.
Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar ka shtyrë miratimin e programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së 2017-2021.
Duke prezantuar programin, ministrja e Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj tha se programi përmban prioritete afatshkurtra një vjeçare dhe prioritete afatgjata pesë vjeçare që kanë për qëllim përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga MSA-së.
“Programi përcakton qartë përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e tij si dhe afatet të përmbushjes së këtyre veprimeve dhe burimet buxhetore. Programi përmban rreth 930 masa nga të cilat 260 janë masa legjislative, ndërsa 670 janë masa zbatuese. Programi gjithashtu përmban prioritete afatmesme në secilin kapitull. Këto prioritete i japin një orientim të përgjithshëm të zhvillimit të sektorit përkatës gjatë periudhës 2017-2021 me qëllim të zbatimit të MSA-së dhe procesit të integrimit evropian”, tha Ahmetaj.
Ajo shtoi se për herë të parë është bërë buxhetimi i tërë programit, ku kostoja totale e zbatimin të programit për këtë vit është 484 milionë euro, nga të cilat 398 milionë nga buxhetit i shtetit dhe 86 milionë nga donatorët, njofton RTK.
Mirëpo, ky program ngjalli polemika mes ministrave. Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka pyetur ministren Ahmetaj nëse në programi parasheh hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
“A planifikohet në këtë fazën 5 vjeçare që të hapen negociatat për anëtarësim, apo është vetëm një plan i punës, i cili parasheh që ne të bëjmë reforma pa e ditur se a avancohemi apo jo?”, ka pyetur Hoxhaj
Menjëherë u përgjigj ministrja Ahmetaj, e cila tha se programi parasheh vetëm përmbushjen e detyrimeve që ka shteti në zbatimin e MSA-së, por jo hapjen e negociatave për anëtarësim.
“Kjo është plani i punës për zbatimin e MSA-së, ka të bëjë me reformat që shteti ka për detyrë ti bëjë që ta përgatisim vendin drejt anëtarësimit. A do t’i hapim negociatat, a po nuk do t’i hapim, për t’i hapur negociatat duhet të aplikojmë për statusin kandidat, gjë që nuk e kemi bërë. A do të aplikojmë për statusin kandidat apo jo, nuk varet nga programi për zbatimin e MSA-së, sa varet nga aspekte tjera politike, nëse do të arrijmë marrëveshje me pesë shtetet jo njohëse”, tha ajo.
Por, Hoxhaj duke se nuk u nda i kënaqur me këtë përgjigje. Tha se Kosova, shpejtësinë e anëtarësimit në BE po e matë me metra, e jo kilometra.
“Do të thotë ne shpejtësinë e anëtarësimit tonë në BE-së e masim me metra, por jo me kilometra. Dhe nuk e dimë asnjëherë se kur e bëjmë një kilometër të parë, një të dytë, apo një të tret. Nëse ne bëjmë reforma të caktuara, duhet ta aplikojmë për statusin kandidat, nëse përmbushim kritere shtesë do të hapim negociatat. Nëse ne sot miratojmë një program të punës, i cili është 5 vjeçar duhet ta dimë kontekstin kohor. Të pakte duhet të jetë e shënuar si objektiv i joni. Nuk ma merr mendja se mund të lëvizim vetëm me reforma administrative pa e ditur se ku avancohemi në rrafshin edhe politik edhe legal”, theksoj Hoxhaj.
Pas këtij debati, kryeministri Mustafa kërkoj shtyrjen e miratimit të programit, duke kërkuar koordinim mes dikasterëve qeveritare.
Kabineti qeveritar miratoi projekt-rregulorën për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për Strukturën Organizative të Zyrës së Kryeministrit, projekt-udhëzimin administrativ për plotësimin e ndryshimit të udhëzimit administrativ për zbatimin e procedurave qendrore të prokurimit publik.
Qeveria në këtë mbledhje zgjodhi për kryeshefe ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Edi Gusia.