Fakti që ai nuk e ka asnjë detyrë zyrtare qysh prej dje pasi dha dorëheqje nga postet qeveritare dhe ato partiake, duke pritur datën 7 prill që të nisë punën si president i vendit, ka bërë që Hashim Thaçi të gjejë kohë që të shkoj pasdarke në Prizren.
Ai ka publikuar një fotografi rreth orës 23:00 ku ka treguar se mbrëmjen e së martës e ka kaluar në një fshat të Prizrenit.
“Sonte pasdarkë tradicionale me çaj me qytetarët e Kurillës në Prizren. Aty takova, bashkë, shqiptarë, turq e boshnjakë. Ky është qyteti i bukur i Prizrenit, i tolerancës dhe multietnicitetit”, ka shkruar Thaçi.
Ai u zgjodh president me 26 shkurt, në rundin e tretë të votimit me 71 vota, teksa para kësaj brenda Kuvendit pati gaz lotsjellës ndërsa jashtë Kuvendit pati përleshje mes policisë dhe protestuesve që kundërshtonin zgjedhjen e tij president.