Në mesnatë një person në Prizren kishte vjedhur një veturë të llojit “Opel Kadet” e cila kishte qenë e parkuar pranë banesës në rrugën “Adem Jashari”, me të cilën pastaj është aksidentuar duke marrë lëndime trupore.
Policia ka njoftuar se një qytetar e kishte informuar policinë për këtë vjedhje, ndërsa policia menjëherë kishte bllokuar rrugëve ku supozohej se mund të kalonte i dyshuari, i cili në ikje e sipër nëpër rrugën “Tirana”, ka shkaktuar aksident trafiku duke e goditur një veturë tjetër me ç’ rast e humb kontrollin ndaj automjetit.
“Më pas del nga rruga dhe përplaset në një kabinë rojesh ku po qëndronte një roje objektesh të cilën e përmbys për tokë, duke e lënduar të njëjtin e në fund edhe vetura e vjedhur përfundon e rrokullisur, ndërsa i dyshuari merr lëndime trupore dhe është ndalur për trajtim në spital”, thuhet në njoftimin e policisë.