×
  • Lajme
  • Lajme

    Në shtëpinë me qira shisnin drogë, kapen dy të rinj në Durrës

    Insajderi
    05 August 2021 - 10:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy të rinj, të cilët kishin vendosur të shfrytëzonin banesën e marrë me qira, për shpërndarjen e lëndëve narkotike.

    Në njoftimin për media bëhet e ditur se të arrestuarit janë një 32 dhe një 33-vjeçar, i fundit ky i dënuar më herët për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

    “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Seksionit për Narkotikët në DVP Durrës kanë mirorganizuar punën dhe si rezultat kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Baza”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. Xh., 32 vjeç dhe E. V., 33 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të dy banues në Durrës.

    Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marë me qira një banesë në lagjen nr.8, Durrës dhe e kishin përshtatur atë për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike”, njofton policia.

    Gjatë kontrollit në këtë banesë, këtyre shtetasve iu sekuestruan  408 gramë lëndë narkotike heroinë, 11.5 gr lëndë narkotike kokainë, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi vlere monetare.

    “Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri tip “Beretta”, municion luftarak, 2 peshore elektronike, një sasi prej 73.940 lekësh të rinj dhe 49 euro vlerë monetare e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, 408 gramë lëndë narkotike heroinë dhe 11.5 gramë lëndë narkotike kokainë, të cilën këta shtetas e përgatisnin në doza të vogla, gati për shitje në qytetin e Durrësit”, bën me dije policia.

    Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

    Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark