Sadik Idrizaj, një 56 vjeçar i lindur në Pejë që jeton në ShBA është denoncuar nga një grua pejane. Ajo po pretendon që për një kohë, kur ajo ishte e mitur, u shfrytëzua seksualisht nga i njëjti, derisa tash kur ajo ka arritur moshën 18 vjeçare po tenton që të hyj në lidhje me të dhe pas refuzimeve, përmes njerëzve që ka paguar, ka përcjell e kërcënuar prindin e saj. Insajderi sjell detaje nga ky rast nën hetim në Prokurori
Visar Duriqi
S.A (emër i njohur për Insajderin) është tash një grua 18 vjeçare nga Peja. Më shumë se dy vite më parë ajo po pretendon që është shfrytëzuar seksualisht nga Sadik Idrizaj, aktualisht në moshën 56 vjeçare, 54 në kohën kur pretendohet se është kryer kimi që po hetohet nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Para disa muajsh ajo e denoncoi rastin. Deri tash është intervistuar dy herë në Polici, me autorizim të Prokurorisë, por familjarë të saj po kanë dyshime në punën e prokurores që i ra në hetim ky rast, Suada Hamza.
Insajderi merr vesh që prindi i viktimës, tashmë ka deponuar te Kryeprokurori një kërkesë që Prokurorja Hamza të përjashtohet nga rasti.
Gazeta Insajderi tash e afro dy javë ka dërguar pyetje në këtë prokurori për këtë rast, ku i dyshuari kryesor, Sadik Idrizaj jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), për të kuptuar se deri ku ka shkuar ky hetim që nuk përfshinë vetëm dyshimin për shfrytëzim seksual të të miturës, por edhe më shumë.
Prindi i saj madje është intervistuar në rast ku hetimi po kryhej nën dyshimin për kërcenim, e ai u intervistua si denoncues, pasi që S.A edhe pse ishte, sipas saj, shfrytëzuar seksualisht nga 65 vjeçari, nuk pranon që të jetë më bashkë me të – e ky i fundit ka insistuar në këtë lidhje.
Si nisi rasti ku 56 vjeçari po dyshohet për sulm seksual?
Pas afro dy javësh pritjeje, Gazeta Insajderi ka pranuar një përgjigje nga Prokuroria në Pejë, e përgatitur nga prokurorja e rastit, Suada Hamza.
“Me dt. 15.06.2024 nga Departamenti i Përgjithshëm kemi pranuar lëndën në kompetencë me nr. PPN.II…..2024 bashkangjitur ka qenë raporti njoftues dhe autorizimi i Prokurorit të DPP për Policinë e Kosovës që personi Sadik Idrizaj të vendoset në STOP listë. Pas pranimit dhe analizimit të aktit të dërgimit të lëndës në kompetencë, kjo lëndë është regjistruar si lëndë e rregullt me nr. PP.II…../2024”, ka thënë për Insajderi, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
Do të kalonin mbi një muaj e gjysmë derisa u verifikuan të dhënat e Sadik Idrizajt dhe me 31.07.2024 Prokuroria mori aktvendim për fillim të hetimeve.
Sipas përgjigjes së Prokurorisë dhënë Insajderit, Idrizaj po hetohet për veprat penale “sulm seksual” “nga neni 229 par.2 pika 2.1 dhe 2.2 lidhur me par.3 pika 3.4 dhe 3.8 lidhur me nenin 77 të KPRK-së si dhe vepër penale “shtrëngim” nga neni 192 par.2 pika 2.1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”.
Viktima nuk e kishte përmendur vetëm Sadik Idrizajn, por edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë, sipas saj, krim.
“Gjatë fazës hetimore pas identifikimit dhe gjetjes së emrave të saktë të personave që e dëmtuara i ka përmendur me “nofka” kemi marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve disa persona për të cilët e dëmtuara në deklaratën e dhënë në polici ka deklaruar se janë në njohuri lidhur me veprimet e të pandehurit Sadik Idrizaj ndaj saj”, tregon Prokuroria se çka ka ndërmarr deri tash në këtë rast.
Në ftesën që ë ka Insajderi, babai i S.A ishte ftuar në intervistim, dhe aty ishte përmendur një nen i Kodit Penal që kishte të bënte me kërcënimin.
“Në cilësinë e dëshmitarit në prezencën e avokates mbrojtëse të të pandehurit sipas autorizimit av. Kosovare Kelmendi edhe babai i të dëmtuarës është ftuar për tu deklaruar lidhur me rastin në fjalë dhe meqenëse i njëjti në deklaratën e dhënë se në telefonin e tij i posedon disa incizime lidhur me disa kërcënime të cilat i pandehuri Sadik Idrizaj ia ka drejtuar të dëmtuarës, ne si Prokurori me dt.03.10.2024 kemi autorizuar policinë për sigurimin e këtyre provave nga dëshmitari meqenëse të njëjtat nuk janë deponuar në Prokurori nga ana e policisë sa i përket këtyre kërcënimeve”, tregon Prokuroria për Insajderin se çka ndodhi në këtë intervistim.
E fotografoi viktimën dhe ia dërgoi të dyshuarit, por u intervistua veç si dëshmitar
Viktima S.A. dhe babai i saj e kishin përmendur edhe një person, që sipas tyre me kërkesë të të dyshuarit Sadik Idrizaj, kishte përcjell, fotografuar dhe jo vetëm, familjarët e viktimës. Prokuroria tregon që e ka gjetur edhe këtë person, por e ka intervistuar vetëm si dëshmitar.
“Pas 2 ftesa të rregullta (27.09.2024 dhe 29.08.2024) të dërguara në adresë të dëshmitarit K. K. për të cilin e dëmtuara ka deklaruar se e ka fotografuar me telefonin e tij dhe fotografitë ia ka dërguar të pandehurit Sadik Idrizaj, me dt. 27.09.2024 dëshmitari ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe i njëjti ka deklaruar se “Ne fund te shtatorit apo fillimi i tetorit 2023 pas disa ditëve afër parkingun tim ka kaluar një vajze e re dhe sa me kujtohet nuk jam i sigurt ka qene me një shoqe te saj , unë me telefonin tim e kame shkrepur një foto te saj dhe direkt ja kame dërguar Sadikut”, por i njëjti ka shtuar se nuk ishte Sadiku ai që ka kërkuar që ta fotografoj këtu të dëmtuarën por e ka fotografuar për arsye tjera të cekura në procesverbal”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë, dhënë Insajderit, por nuk zbulohet se cila ka qenë arsyeja që K.K. e ka fotografuar viktimën S.A dhe ia ka dërguar të dyshuarit Sadik Idrizaj.
Por, Prokurorja Hamza që po e heton Sadik Idrizajn, e ka dërguar në një departament tjetër rastin që te hetohet K.K nëse ai veç bëri fotografi “për arsye të tjera”, apo eventualisht ka kryer krim.
“Me dt.04.10.2024 pas analizimit të deklaratës së dëshmitarit si më lartë duke e krahasuar me provat e tjera në shkresat e lëndës me një shënim zyrtar duke ia bashkangjitur shkresat e tjera të lëndës kemi dërguar në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj Prokurorie që të vlerësoj veprimet e K.K nëse ka elemente të veprës penale Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara neni 202 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë në Pejë dhënë Insajderit.
Në kontakt me burime brenda organeve të zbatimit të ligjit Gazeta Insajderi ka siguruar edhe provat- videot që familja e viktimës i ka deponuar në Polici, rrjedhimisht kanë përfunduar në Prokurori. Ato ngrenë dyshime serioze që pos të dyshuarit Idriz Sadikaj, në rast janë të përfshirë edhe më shumë persona.
E në to janë edhe prova që ngrenë dyshime se Sadikaj e ka kërcënuar edhe prindin e viktimës, që tash pa dëshirën e saj ai do t’ia marr vajzën.
“Me dt. 09.10.2024 nga policia kam pranuar CD nga dëshmitari babai i të dëmtuarës në të cilën i njëjti ka deponuar nga telefoni i tij disa prova lidhur me pretendimet e kanosjes që këtu i pandehuri Sadik pretendohet t’ia ketë bërë të dëmtuarës. Prova në fjalë do të analizohet”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Insajderit.
Sadik Idrizaj aktualisht nuk ka urdhër-arrest, sipas Prokurorisë, por vetëm është vënë në listë ndalimi nëse hyn në territorin e Kosovës.
“Duke qenë se i pandehuri gjendet në STOP listë dhe me qellim të ndërmarrjes se veprimeve të lartcekura që të kemi prova të mjaftueshme me të cilat do ta ballafaqoj të pandehurin gjatë marrjes në pyetje i njëjti ende nuk është deklaruar, por meqenëse jemi në fazën e mbledhjes së provave të nevojshme do të sigurohet prezenca e tij për të dhënë deklaratën në Prokurori për veprat për të cilat ngarkohet si dhe do të shtjerrën të gjitha mundësitë ligjore për sigurimin e prezencës së tij”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dërguar Insajderit.
Intervistohet dy herë, familjes nuk i jepet kopja e deklaratës së viktimës
Gazeta Insajderi është interesuar, pas kërkesës së bërë nga familja për përjashtimin e Prokurorës Suada Hamza, se nëse familjes i është dhënë intervista që viktima S.A. ka dhënë në Polici, por të njëjtit ende nuk e posedojnë atë.
Ajo deri tash, në këtë periudhë disa mujore që kur ka vendosur që ta denoncoi rastin, është intervistuar së paku dy herë në Polici me autorizim të Prokurorisë, por ende nuk ëhstë interviastuar direkt nga Prokurorja e rastit.
“Sa i përket të dëmtuarës S.A se a është marr në pyetje në Prokurori: Meqenëse njëjta është deklaruar në polici dy herë me dt. 05.07.2024 dhe 20.06.2024 në prezencë të mbrojtëses së viktima Z. B dhe prindit të saj sipas dispozitave ligjore nuk mund të procedohet më shumë se dy herë”, thuhet në përgjigjen dërguar te Gazeta Insajderi.
Edhe pse kopja e intervistës nuk i është dhënë as familjes, Prokuroria ka zbuluar pak detaje se çka ka denoncuar ajo kundrejt 56 vjecarit, Sadik Idrizaj.
“….e njëjta në polici ka deklaruar se në kohen kur ka filluar kontaktet me të pandehurin ka qenë 16 vjeçare ndërsa e njëjta tani ka mbushur moshën 18 vjeçare do të shqyrtohet mundësia e marrjes në pyetje edhe në Prokurori”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë në Pejë.
I dyshuari intervistohet javën tjetër, ka “prerë” edhe biletën e aeroplanit
I denoncuar nga një grua që pretendon se u shfrytëzua seksualisht nga ai kur ajo ishte ende e mitur, Sadik Idrizaj ka angazhuar në Kosovë një avokate ma famë, Kosovare Klemendin.
Gazeta Insajderi i ka kërkuar avokates së tij që ta vë në kontakt me Idrizajn që jeton në ShBA, por në vend të kësaj, ajo është përgjigjur si avokate e tij.
Avokatja Kelemendi i ka thënë Insajderit se nuk e di çfarë veprimesh ka ndërmarrë Prokuroria në Pejë kundrejt klientit të saj, Sadik Idrizaj, por “unë mund të konfirmoj se janë dëgjuar disa dëshmitarë ku unë kam marr pjesë gjatë intervistimit të tyre e që është e drejtë ligjore, ndërkaq për veprime te tjera hetimore nuk jam në njohuri”.
Ajo ka mohuar se mund të ketë ndikuar në ndonjë formë në Prokurorën Hamza, pasi që sipas saj princi i viktimës “pritet të vazhdoj intervistimin nesër, dhe atë ka mbetur pikërisht te përgjigjet në pyetje të mbrojtjes”, ka thënë Klemendi dhe sipas saj, “është tejet sinjifikante dhe madje e ulët që ai të ketë dyshime apo vërejtje se unë kinse paskem pas ndikim në prokuroren”, pasi që thote se prokuroren e rastit as nuk e ka mikeshë e as familjare.
Avokatja Klemendi kur është vënë në dijeni se është bërë një kërkesë që të përjashtohet Prokurorja Suada Hamza, ka thënë që as ajo nuk është kundër përjashtimit të saj pasi që për të le të vije cilido prokuror.
“Konsideroj, se në këtë rast, më së miri do te ishte të përjashtohej në tërësi Prokuroria e Pejës, për një procedurë të paanshme”, ka thënë Kelmendi për Insajderi.
Ndaj Sadik Idrizajt aktualisht ka vetëm futje në listën e ndalimit, nëse hyn në territorin e Kosovës, por jo edhe urdhër arrest. Cka din ai deri tash për hetimin që po zhvillohet kundë tij?
“Klienti im është në dijeni, ka qenë në dijeni dhe nga fillimi i procedurës hetimore. I njëjti vazhdimisht ka kërkuar të intervistohet nga prokurorja apo zyrtaret policore, dhe asnjëherë nuk është shmangur apo arratisur. I njëjti ka kërkuar vetëm që të njoftohet minimum tri ditë përpara në mënyrë që të ketë mundësi të blejë biletën e aeroplanit meqë i njëjti jeton në Amerikë”, ka thënë për Insajderin avokatja Kosovare Kelmendi.
Sipas saj, për intervistim të të dyshuarit Sadik Idrizaj është caktuar data 31 tetor e këtij viti dhe ai do të intervistohet tashmë direkt në Prokurori.
Ajo ka dërguar edhe dëshmi të thirrjes, kopje të biletës, dhe ka potencuar se sipas saj, klienti i saj në vazhdimësu ka qenë insistues që të intervistohet për këtë rast.
Rasti ku S.A denoncon Sadik Idrizajn për shfrytëzim seksual sa ishte e mitur dhe pretendon që më vonë vazhdoi më shantazh e kërrcënim ndaj familjarëve të saj që të përfundoi në lidhje bashkë me të, është hapur qysh në mesin e muajit qershor të këtij viti.
Viktima është intervistuar dy herë. Prindi i saj një herë. Disa dëshmitarë, përfshirë edhe personin që e pranon që e ka fotografuar viktimën e ia ka dërguar të dyshuarit, rast që po trajtohet ndaras nëse ai ka kryer veprën penale të fotografimit të jashtëligjshëm.
Dhe në krejt këta muaj, nga mesi i qershorit tek gati fundi i tetorit, Prokuroria ende nuk ka arritur që ta siguroi prezencën e të dyshuarit Idrizaj që ta intervistoi të njëjtin./ Gazeta Insajderi