2020 rezultoi një vit vështirë për turizmin në Shqipëri për shkak të pandemisë së Covid-19, e veçanërisht tremujori i fundit për shkak të masave bllokuese.
Sipas të dhënave të Instat, strukturat akomoduese pritën më pak pushues gjatë muajve tetor-dhjetor të vitit të kaluar, pasi numri i vizitorëve shënoi rënie me 41.2% kundrejt të njëjtës periudhë të 2019, duke u mbështetur më së shumti nga vizitorët e Kosovës që duket se shpëtuan industrinë turistike një vit më parë.
Rënie të thellë shënoi edhe numri i netëve të qëndrimit duke u ulur me rreth 58,4%.
Sipas anketës së Instat, pjesa më e madhe e pushuesve kanë zgjedhur Rajonin qendror të vendit për të qëndruar, kryesisht qytetet bregdetare siç është Durrësi.
Shumica dërrmuese e tyre kanë zgjedhur hotelet dhe strukturat e ngjashme për t’u akomoduar kryesisht , teksa edhe pse të paktë në numër ka pasur edhe nga ata vizitorë që kanë qëndruar në kampingje, çadra apo rulota argëtimi.
Vizitorët jo rezidentë pësuan pothuajse një përgjysmim në tremujorin e vitit të kaluar, e bashkë me të edhe netët e qëndrimit të tyre, teksa rënie pa edhe numri i vizitorëve rezidentë me rreth 30% më pak se krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës.
Muajt tetor-dhjetor përgjithësisht nuk shoqërohet me prurje të mëdha vizitorësh në vendin tonë, përkundrazi shumë shqiptarë kalojnë kufijtë kryesisht në vendet e rajonit për pushime dimërore si në Kosovë apo Mal të Zi.
Sipas Instat, gjatë 3-mujorit të katër të 2020-ës rreth 535.5 mijë turistë të huaj kanë hyrë në Shqipëri, rreth 408 mijë vizitorë në pak se krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës. /tch/