Personat me aftësi të kufizuara nuk po i gëzojnë të drejtat e barabarta në shoqëri. Kjo kategori po shkelet edhe nga Qeveria e Kosovës. Presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, nuk kanë pranuar të takohen me ta. Premtimet që iu dhanë nuk gjetën asnjëherë zbatim, ndërkohë 40 personave iu kanë përgjysmuar pensionet.
Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e kishte shpallur vitin 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës. Por, përgjatë këtij viti u bënë pesë shkelje nga Qeveria e Kosovës ndaj kësaj kategorie.
Përfaqësuesi i personave me aftësi të kufizuar, Elmi Fazliu thotë se ankesa më e madhe është në lidhje me përgjysmimin e pensioneve.
Ndonëse në media u raportua se gjithsej 40 personave i janë përgjysmuar pensionet, Fazliu po pretendon se numri është më i madh.
“Nuk kemi të dhëna të sakta për arsyje se ministria nuk na jep këto të dhëna. Por kur unë isha në ministri të Mirëqenies Sociale për me marrë vendimin e shkallës së dytë të ankesës, zyrtarët në kushte anonimiteti më thanë që janë diku 80 ankesa që kanë ardhë deri tani për përgjysmim të pensionit”, ka thënë Fazliu për Insajderin.
Fazliu shtoi se ky vendim është shkelje flagrante e të drejtave, teksa theksoi se këto vendime prekin shëndetin dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara.
“Këto vendime janë shkelje flagrante e drejtave tona, sepse prekin direkt shëndetin dhe mirëqenien tonë. Në këtë krizë ekonomike dhe ngritje të çmimeve neve na ndalet shtesa prej 75 euro në muaj për ilaqe dhe na mohohet përcjellësi”, tha ai për Insajderin.
Sipas tij, verifikimi për përgjysmimin e pensioneve merr kohë vetëm 30 sekonda.
“Verifikimi në rastin tim konkret ka zgjatë dikun 30 sekonda. Mirëdita a jeni ju z. Fazliu? Ju kemi pa edhe në media, në rregull është mund të vazhdoni, pas 15 dite e merrni vendimin e ri për vazhdim pensioni”.
Në mesin e dokumenteve që kërkohen nga ministria është edhe raporti nga Komisioni i doktorëve, por, insitucioni përsëri nuk e ka marr parasysh atë.
“Kërkohet vetëm Raporti Konzular nga Komisioni prej pesë anëtarë i doktorëve, por edhe pse ata e vlerësojnë që unë duhet të kem përcjellësin edhe ilaqet, Komisioni nga Ministria nuk e merrë parasysh”, ka potencuar Fazliu.
Fazliu tha se për këto veprime një grup i personave me aftësi të kufizuara i ishte drejtuar edhe me një protestë Qeverisë, por që nuk solli asnjë rezultat. Atyre nuk iu plotësua as kërkesa për takim me Kurtin, e as presidenten Osmani.
“Gjithashtu kemi organizu edhe protestë para Qeverisë por vetëm premtime kemi marrë dhe asgjë konkrete edhe pse është bërë 1 vit nga takimi. Kemi kërkuar edhe takime me Kryeministrin dhe Presidenten por nuk kemi marrë përgjigje as për to”, tha tutje ai.
Edhe pse viti 2022 ishte shpallur si vit i personave me aftësi të kufizuara, Fazliu thotë se pikërisht atë vit u bënë shkeljet më të mëdha.
Ai shton se Qeveria ka realizuar disa konferenca dhe projekte me Shoqatat e Personave me Aftësi të kufizuara, vetëm sa për fotografi.
“Unë mendoj po në këtë vite kanë ndodh shkeljet më të mëdha të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar. Qeveria ka bërë disa konferenca dhe projekte me Shoqatat e Personave me Aftësi te Kufizuar por ato mbesin vetëm në letër dhe ne disa foto te përbashkëta, por tek ne nuk po ndryshon asgjë”, tha Fazliu.
I njëjti listoi gjithashtu disa shkelje që u shkaktuan nga Qeveria në vitin 2022:
– Ulje të Pensioneve për personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik ( mospagesa e Ilaqeve dhe Asistetit)
– Jemi largu nga Paga Minimale ne Kosove.
– Nuk kemi Punësim të Personave me Aftësi të Kufizuara.
– Nuk kemi Subvencionim te Energjisë Elektrike si vitet e kaluara.
– Është vendos TVSH ne Dogan për Veturat që importohen për Personat me Aftësi te Kufizuara etj. /Gazeta Insajderi