
Mjekja e Qendrës Kryesore së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Manushe Sadikaj është parë gjatë ditës së djeshme se si po e neglizhonte orarin e punës. Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht për rastin.
Ajo është kapur duke qëndruar e shtrirë, këmbën mbi këmbë teksa në duar po mbante telefonin në njërën prej dhomave të kësaj qendre. Ndërkohë në korridore të qendrës vërehej fluks i madh i qytetarëve për të bërë testin e Covid-19, meqë në këtë qendrës po kryhen edhe këto shërbime.
Lexues të Insajderit kanë rrëfyer se kolegut të saj i ka dalë në ndihmë sigurimi i kësaj qendre ndërsa kjo e fundit po shikonte ‘storiet’ e miqve të saj në Instagram.
“Si hymë në pranim kanë qenë dy çika të reja, ato na marrshin letërnjoftimet, një doktor veç u kanë tu punu, edhe sigurimi u shihke tu i nimu, a qekjo motra, me sy te mi e pashë këmbën mbi këmbë edhe rrike”, i tha njëri prej dëshmitarëve të rastit Insajderit.
Sadikaj nuk i është bërë vonë as kur doktori i përmendur nga dëshmitari i ka kërkuar ndihmë.
Sot për rastin Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku. Ai konfirmoi se e kanë pranuar rastin dhe që janë duke u marrë me të.
“E kemi pranuar rastin, kemi kontaktuar me QKMF në fjalë, janë mekanizmat e veçanta që po merren me rastin, do të njoftoheni me kohe për çdo vendim”, tha Sadiku për Insajderin.