Grupi për Ballkan (BPRG) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se vazhdon të ofrojë mbështetje për institucionet e Republikës së Kosovës në fushat thelbësore të shtet-ndërtimit, për forcimin e institucioneve dhe politik-bërjen, reformat që ndërlidhen me agjendat evropiane, zhvillimin e dialogut me Serbinë dhe bashkëpunimin politik.
“Në frymën e këtyre përpjekjeve, Grupi për Ballkan ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ambasadën e Norvegjisë më datën 22 prill 2021. Ky memorandum përcakton modalitetet për angazhimin e ekspertëve të jashtëm për procesin e dialogut me Serbinë dhe agjendave tjera që ndërlidhen me dialogun”.
Sipas Grupit për Ballkan ekspertët e angazhuar ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe përmbajtjesore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion Kryeministrit, kabinetit të tij dhe Zëvendëskryeministrit për Integrime evropiane, Zhvillim dhe Dialog.
Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi. Së shpejti grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala, shkruan Gazeta Insajderi.
Kush është Bernard Nikaj?
Bernard Nikaj, ish-ambasadori i Kosovës në Brukes, do të jetë pjesë e ekspertëve të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nikaj i cili për një kohë ishte pjesë e AKR-së, partisë së Behgjet Pacollit, tash është konsulent i pavarur në fushën e politikave publike dhe Ligjërues i Menaxhmentit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës.
Më parë ka qenë Ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe negociator kryesor i pjesës tregtare të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA).
Bernardi ka përfunduar studimet në ekonomi (UP), menaxhment (LSE) dhe politika publike (Maastricht School of Governance) si dhe ka qëndruar si hulumtues vizitor në University of California në Berkeley si pjesë e programit Fulbright, shkruan Gazeta Insajderi.
Kush është Leon Malazogu?
I angazhuari tjetër në rolin e ekspertit në dialogun me Serbinë, sipas marrëveshjes së memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Grupit për Ballkan (BPRG) dhe Qeverisë së Kosovës, është Leon Malazogu, ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Japonisë.
I propozuar për ambasador në Mbretërinë e Japonisë nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në vitin 2015, Malazogu kishte dorëzuar kredencialet e tij tek Perandori i Japonisë, Akihito, në shtator të vitit 2016.
Në këtë pozitë, ai kishte shërbyer deri në vitin 2020.
Para se të marrë këtë post, Leon Malazogu kishte udhëhequr institutin Demokraci për zhvillim (D4D), që hulumton lidhjen në mes të demokracisë dhe zhvillimit.
Ai ka shërbyer edhe si anëtar bordi i Universitetit të Prishtinës si dhe ishte pjesë e Grupit këshill-dhënës Ballkani në Evropë, i themeluar nga Universiteti i Gracit. Ka ligjëruar në disa universitete në Kosovë dhe Maqedoni si dhe specializim pranë Universitetit të shtetit të Arizonës, shkruan Gazeta Insajderi.
Kush është Robert Muharremi?
Një ish-bashkëpunëtor i “regjimit të vjetër” është pjesë përbërëse e grupit të ekspertëve të përfshirë në dialogun me Serbinë, të cilin do ta udhëheq Qeveria Kurti.
Një ish-këshilltar i ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxhës, i angazhuar si ekspert për dialogun nga ish-kryeministri, Avdullah Hoti, Robert Muharremi do të angazhohet në një rol të njëjtë nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, kryeministri i Kosovës.
Ai do të rikthehet në detyrë më pak se një vit pas udhëtimit që realizoi në Bruksel në shtator të vitit të kaluar, në cilësinë e ekspertit për dialog të Qeverisë së Kosovës.
Muharremi, është profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Prej vitit 2000, ai ka shërbyer në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe institucione qeveritare në Kosovë si këshilltar ligjor dhe politik.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, Muharremi ishte përfshirë në politikë. Një muaj para zgjedhjeve, ai ishte prezantuar nga ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, si prurje e re që do t’i bashkohej “Fillimit të Ri”, një fushate parazgjedhore të udhëhequr nga Veseli.
Por, Muharremi kishte mohuar të ketë qenë pjesë e PDK-së. Kishte thënë se vetëm i kishte dhënë përkrahje publike Kadri Veselit.
Deputeti i pavarur Muhamet Mustafa sot edhe zyrtarisht kaloi në radhët e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mustafa, para se të bëhej deputet i pavarur, ishte deputet nga radhët e AKR-së.
Është bashkëthemelues dhe president shumëvjeçar i Institutit Riinvest që nga viti 1995 dhe më vonë, në 2007-ën, bashkë-themelues i Kolegjit Riinvest ku është Kryetar i Këshillit Akademik. Ka bërë specializime të post doktoratës në Angli dhe SHBA dhe ka qëndruar në vizita studimore edhe në shumë universitete tjera partnere të Riinvest, shkruan Gazeta Insajderi.
Kush është Muhamet Mustafa?
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa është njëri nga gjashtë ekspertët e angazhuar për të përfaqësuar Kosovën në dialogun me Serbinë.
Mustafa rikthehet në procesin dialogues më pak se një vit që prej udhëtimit të tij të fundit në Bruksel, në rolin e ekspertit, të cilin e mori nga Qeveria Hoti. Ai, ishte në shërbim të udhëheqësit të palës kosovare në dialog, Skënder Hyseni.
Në këtë udhëtim, Mustafës i kishte humbur çanta e tij personale.
“Mua më ka ndodhur të humbi (ose të më vidhet) çanta ku kam pasë dokumente personale dhe të holla. Pas një kohë dokumentet janë kthye, por te hollat janë marrë”, kishte nënvizuar Mustafa.
Para se të angazhohej si ekspert në dialog dhe të shërbente si deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ai kishte shërbyer si deputet nga radhët e Aleancës Kosova e Re, të udhëhequr nga Pacolli.
Mustafa është bashkëthemelues dhe president shumëvjeçar i Institutit Riinvest që nga viti 1995 dhe më vonë, në 2007-ën, bashkë-themelues i Kolegjit Riinvest, shkruan Gazeta Insajderi.
Kush është Veton Surroi?
Pjesë e dialogut ndërmjet dy shteteve fqinje do të jetë edhe publicisti Veton Surroi, i cili dikur ka qenë edhe pjesë e dialogut dhe marrëvesjes së Rambujesë.
Surroi ka qenë themelues dhe udhëheqës i Listës Qytetare Ora, të cilën më vonë e shndërroi në parti politike.
Në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, të mbajtura ne vjeshtë të vitit 2004, ORA morri 6.2% të votave dhe siguroi shtatë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Surroi në vitin 1997 themeloi gazetën e përditshme më të lexuar në Kosovë, “Koha Ditore”, dhe për disa vite punoi si kryeredaktor në këtë të përditshme.
Surroi një pjesë të jetës së tij e kaloi në botën spanjisht-folëse dhe u shkollua atje, shkruan Gazeta Insajderi.
Kush është Blerim Shala?
Publicisti Blerim Shala, i cili më 1999 ka qenë pjesë e delegacionit shqiptar të Kosovës në bisedimet e Rambujesë në Francë dhe një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Rambujesë, tash do të jetë edhe pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.
Shala edhe më heret ka qenë pjesë e dialogut si këshilltar i ish-Presidenti Hashim Thaçi.
Me fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës ai u emërua nga Presidenti Ibrahim Rugova me detyrën e koordinatorit të bisedimeve. Rreth emërimit të tij ka pasur mjaft polemika lidhur me spekulimet se ai është i afërt me LDK.
Shala që nga fillimi i bisedimeve ka qënë anëtar i çdo delegacioni që ka marrë pjesë bisedimet në Vjenë me palën serbe nën ndërmjetësimin ndërkombëtar të udhëhequr nga diplomati finlandez, presidenti Marti Ahtisari.
Ai për një kohë ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndryshe, Shala ka qenë botues i gazetës së përditshme kosovare Zëri i ditës, dhe një nga organizatorët e demonstratave të viteve 1990-1991.
Për shkak të aktiviteti politik ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe në vitin 1991. Ai do të arrestohej edhe dy herë të tjera nga policia serbe gjatë periudhës 1991-1999, shkruan Gazeta Insajderi.