Nëna e të ndjerës Dafina Zhubi, Ganimete Lloqani, ka dënuar vendimin e prokurisë në të cilën thuhet se vajza e saj Dafina Zhubi është vetëvrarë.
Në një intervistë për gazetën “Zëri” ajo ka thënë se do të vazhdoj të kërkoj drejtësi derisa të gjej kriminelin, për të dhënë deklaratë se vajza e saj nuk ka bërë vetëvrasje.
“Nuk është e vërtetë që ajo ka bërë vetëvrasje, se s’ka pas arsye ajo me bë vetëvrasje. Unë krejt kohën jam marrë edhe me Prokurorinë, ata e kanë lëshuar dorasin edhe s’kanë dashtë me ditë më tepër. Unë do të vazhdoj të kërkoj drejtësi deri në fund kam për t’i shkuar rastit derisa të gjejë kriminelin, që ka me dhënë deklaratë se kjo nuk është vetëvrasje”, ka deklaruar, Lloqani.
Ajo ka thënë se nuk e din se si ka ardh deri tek vdekja e saj, mirëpo prokuroria e ka lëshuar dorasin dhe ai del i lirë.
“Na nuk dimë se qysh ka ardhë deri te vrasja, nuk është majtë ndonjë seancë, Prokuroria e lëshon dorasin dhe ai del në liri. Na s’kemi mundur të dimë se çka ka ndodhë atë natë aty. Dëshmitarë nuk kom, për ata nuk mundemi me ditë, me vajzën nuk jemi pa vetëm kur ma kanë sjellë të vdekur në arkivol”, ka përfunduar Lloqani.
Instituti i quajtur “Forensicons” e drejtuar prej prof. dr. Ulrich Zolinger ka nxjerrë një raport prej gjashtë faqesh të bazuar në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, me anë të së cilit përjashton çdo mundësi që 35-vjeçarja ta ketë qëlluar veten me armë në kokë.
Dibra ka reaguar nëpërmjet avokatit të tij, Mexhid Syla pas publikimit të shkrimit nga Insajderi bazuar në një ekspertizë të një eksperti zviceran i cili konstaton se e ndjera është vrarë e jo vetëvrarë. /Insajderi.com