Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu është fotografuar në një kafiteri në Ferizaj nën shoqërimin e dy biznesmenëve të cilët janë përfitues të tenderëve në këtë komunë.
Gazeta Insajderi ka siguruar fotografitë ekskluzive të nënkryetarit duke qëndruar në kafiterinë “Manuka” në Ferizaj me biznesmenin Ramadan Gashin, pronarin e kompanisë “Ekologjia” dhe Sokoli Shabanin, vëllain e biznesmenit ferizajas Bujar Shabanit, pronar i kompanisë “Bageri”.
Fillimisht, në fotografinë e parë Lulzim Aliu shihet duke u shoqëruar me biznesmenin Ramadan Gashi e pastaj iu bashkohet edhe Sokol Shabani.
Lulzim Aliu e ka pranuar përmes telefonit se ka lidhje shoqërore me përfituesin e tenderëve. Kompania e së cilit kishte fituar tender për desinfektimin e hapësirave publike gjatë kohës së Pandemisë në komunën e Ferizajt.
Ai thotë se e ka shokë që 30 vite.
“E njoh që nja 30 vite. Kam raporte shoqërore miqesore që e njoh prej kohësh dhe asnjë çështje nuk na lidh me punët që i bën ai. Prej që kam ardh une, sdi a ka marra ai… a ka punë… nuk e besoj nuk jam faktor që vendosi as nuk jam pjesë e komisionit”, deklaroi Aliu.
I ashpër në përgjigjen e tij ka qenë pronari i kompanisë “Ekologjia” Ramadan Gashi ku është pyetur lidhur me takimin me nënkryetarin.
Ai ka mohuar që takimi i tyre të ketë lidhje me procedura tenderuese.
“Ju edhe me këtë problematik mirreni aa? Jo nuk ka lidhje kurgjo me tendarat, e kom pa rasatesisht edhe kam pi kafe me to . Une jam nje figurë kulturore e qytetit dhe kanë dëshirë njerëzit me pi kafe me mu edhe une kurrë më të për asnjë tender kurre skam bisedu. Nuk me ka ndihmu”, deklaroi Gashi
Edhe biznesmeni Sokol Shabani ka pranuar se ka shok të vjetër nënkryetarin Lulzim Aliu. Lidhur me takimin, ai tha se nuk kanë biseduar për tendera, ndonëse kompania “Bageri” e cila është në pronësi të vëlliat të tij, ishte shpërblyer me tenderë nga komuna e Ferizajt
“Unë e kam vetëm shok. Asgjë më shumëë. E kam shokë të vjetër. Në asnjë formë, nuk kam lidhje me këtë punë” .
Nënkryetari i Komunës së Ferizajt Lulzim Aliu është duke u gjykuar për për korrupsion. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Në maj të këtij viti ai dhe 4 të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzën.