Eros Klaiqi
“Hidroterm” Sh.P.K., kompania e Blerim Kuçit, ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë Hoti, është shpërblyer me një kontratë publike në vlerë prej rreth pesë milionë eurosh.
Të martën e 6 tetorit, kompania e ministrit Kuçi, e cila merret me ndërtim, ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e një spitali në Prizren.
“Hidroterm” Sh.P.K., aksionet e së cilës i posedon ministri Blerim Kuçi, ka fituar tenderin publik të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) për “ndërtimin e objektit spitalor për nënën dhe fëmijën në Prizren”. Vlera e kontratës kap shifrën e 4 milionë e 900 mijë eurove.
Përmbyllja e kësaj procedure prokurimi i mori më shumë se një vit kohë ShSKUK-së, shkruan Gazeta Insajderi.
Përgjatë procesit, në një njoftim për dhënie kontrate gjatë këtij viti, ShSKUK-ja kishte rekomanduar për kontratë një kompani tjetër që ka konkurruar për këtë kontratë.
Pas ankesave pranë Komisonit Rregullativ të Prokurimit Publik, kompania e cila më parë ishte rekomanduar për kontratë është cilësuar si e papërgjegjshme.
Në përfundim, autoriteti kontraktues e shpalli fituese kompaninë e shefit të Ministrisë së Ekonomisë, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas të dhënave publike, kompania “Hidroterm” Sh.P.K. e ministrit Blerim Kuçi, është regjistruar në vitin 2003.
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) figuron se baza e firmës ndodhet në Suharekë, vendi i origjinës së Blerim Kuçit. Bazuar në këto të dhëna, kapitali i përgjithshëm i kompanisë është rreth 500 mijë euro.
Emrat e Blerim Kuçit dhe kompanisë së tij “Hidroterm” Sh.P.K, janë ndërlidhur edhe në të kaluarën me tenderët publikë, shkruan Gazeta Insajderi.
Fillimisht, emri i Kuçit ishte përfshirë në procesin e dyshimtë të privatizimit të vreshtarisë në Suharekë. Bëhej fjalë për disa transaksione të dyshimta në procesin e shitjes së ndërmarrjes NBI “Suhareka”.
Ish-ndërmarrja e vreshtave NBI “Suhareka”, ishte privatizuar më 2007 dhe fitues qe shpallur “Agrokosova Holding”.
Lidhur me këtë rast Prokuroria Speciale e Kosovës kishte zhvilluar hetime në vitin 2011. Në mesin e atyre që ishin hetuar ishte edhe Blerim Kuçit, kreu i Komunës së Suharekës. Mirëpo, hetimet e Prokurorisë së Shtetit kishin pushuar disa muaj më vonë.
Në kohën kur Blerim Kuçi shërbeu si ministër i Drejtësisë, “Hidroterm” Sh.P.K. mori hise në tenderin për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë në Hajvali.
Kontratën për këtë projekt që ishte më i madhi në Kosovë në fushën e drejtësisë e kishte fituar një kompani bullgare, e cila për nënkontraktor kishte zgjedhur kompaninë e ministrit Kuçi.
Për këtë tender, siç kishte raportuar Insajderi, Prokuroria Speciale e Shtetit kishte nisur hetime në prill të vitit 2015 bazuar në një ekspertizë profesionale të autorizuar nga Prokuroria, e cila kishte konstatuar se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara.
Kompania e Kuçit kishte vazhduar të përfitonte nga prokurimet publike edhe në Komunën e Suharekës, të udhëhequr nga Bali Muharremaj, bashkëpartiaku i tij.
“Hidroterm” Sh.P.K., kishte fituar tender në vlerë prej 1.7 milionë eurosh nga Komuna e Suharekës në prag të zgjedhjeve nacionale të vitit të kaluar. Konkretisht në muajin gusht të 2019-s.
Kjo kompani ishte rekomanduar për kontratë për projektin për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi” në vlerë prej 1 milion e 740 mijë euro, ndonëse nuk kishte dorëzuar ofertën më të lirë për këtë tender.
Kishin qenë të paktën edhe dy oferta më të lira, por ato ishin eliminuar nga gara nga Komuna e Suharekës. /Gazeta Insajderi