×
  • Sport
  • Sport

    “Nëntë lojtarë me temperaturë”, arsyeja absurde që përdori Serbia që të mos luajë ndaj Kosovës

    Insajderi
    21 January 2024 - 16:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    9 lojtarë me temperaturë, prandaj edhe na u pamundësua dalja në terren, kjo është arsyeja absurde që përdori Serbia U18 që të mos luajë ndaj Kosovës U18.

    “Dardanët” e rinj kanë marrë një tjetër fitore në tavolinë, pasi serbët njësoi si në “beach-vollej” refuzuan të paraqiten në terren.

    Federata e Volejbollit përmes një komunikate zyrtare, njoftoi se serbët janë justifikuar kinse kanë nëntë lojtarë me temperaturë, andaj edhe Kosova ka avancuar tutje.

    FVK gjithashtu ka njoftuar se do të kërkojnë që Serbia të sanksionohet për veprimet e njëjta që po bën që sa kohë, pasi në të vërtetë refuzojnë të luajnë vetëm shkaku që s’e njohin shtetin e Kosovës.

    “Kosova kalon tutje pa lojë, Serbia nuk paraqitet”

    Kosova U18 (djemtë) e ka fituar ndeshjen në tavolinë ndaj Serbisë U18, pasi kundërshtari nuk u paraqit, në ndeshjen e vlefshme për plasman në pozitën e 5-të në CEV U18 kualifikimet për EuroVolley.

    Arsyeja zyrtare e ekipit serb, ka qenë se “9 lojtarë të formacionit të Serbisë kanë qenë me temperaturë, duke u pamundësuar daljen në teren”.

    Duke e pasë parasysh çasjen refuzuese të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës, FVK e konsideron të paqëndrueshëm arsyetimin e dhënë nga Federata Serbe e Volejbollit dhe do të kërkojë nga CEV, që Serbia të sanksionohet për këtë veprim.

    FVK më shumë do t’i gëzohej suksesit të arritur në arenën sportive, sesa rezultateve të vendosura “në tavolinë”.

    Kombëtarja jonë u paraqit në fushë, tregoi pjekuri për lakmi dhe nivel të lartë të profesionalizmit.

    Djemve tanë iu mohua gara kompetitive, meqë kundërshtari nuk u shfaq në teren.

    Sporti duhet të krijojë ura bashkimi, e Serbia në këtë rast ka dëshmuar përmes veprimeve të kësaj natyre, se akoma nuk e ka këtë vullnet e gadishmëri.

    U mbetet mekanizmave brenda BVA dhe CEV, që ta hulumtojnë këtë veprim, për të cilin, bazuar nga hapat e ngjajshëm edhe në të kaluar, nënkuptohet si tendencë për ta shmangur duelin me Kosovën.

    FVK e uron shtabin teknik dhe djemtë e Kombëtares U18, për paraqitjen dinjitoze dhe kalimin në fazën e mëtutjeshme të CEV U18 EuroVolley”, shkruhet ndër të tjera në komunikatë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark