
Balldëska e deputetit të VV’së, Luan Aliut, dhe bashkëshortja e aktivistit, njëkohësisht edhe fotograf i Alban Hysenit, janë ndër të punësuarit së fundmi në arsim në Gjilan. Gazeta Insajderi ju sjell detaje nga lista e të punësuarve në konkursin e fundit të komunës që drejtohet nga Vetëvendosje.
Gazeta Insajderi
Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, me 20 shtator ka shpallur rezultatet përfundimtare të kandidatëve që kanë aplikuar në konkursin për mësimdhënës.
Ky konkurs, ishte për pozitat e punës si: Mësimdhënës klasor, Edukatore, Lëndë mjekësore, Gjuhë angleze, Gjuhë shqipe, Kimi, Matematikë, Lëndë muzikore, Piano, Gjeografi, Histori, në shkollat e komunës së Gjilanit.
Në këtë konkurs është përzgjedhur për edukatore në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Vatra e Diturisë” në Livoq të Epërm, Mimoza Alidema.
Alidema është punësuar edukatore për grup moshat 3 deri në 5 vjeç.
Mimoza Alidema është motra e gruas së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliut.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me deputetin Luan Aliun, se ka pasur ndonjë ndikim në punësimin e balldëskës së tij, por i njëjti deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur.
Gazeta Insajderi dy vite më parë, pra në 2022’tën kishte raportuar, për të njëjtën kandidate.
Balldëska e Luan Aliut, Mimoza Alidema edhe atë kohë ishte punësuar edukatore në një shkollë në Gjilan.
Deputetit Aliu në vitin 2021 i ishte emëruar dhe motra Shkurte Aliu në Bordin e Teatrit Kombëtar.
Po ashtu në këtë konkurs, në pozitën për Kulturë muzikore, në SHFMU “Dëshmorët e Kombit, me plotësim norme në shkolla “Liria” 7 orë dhe “Fetah Qerimi” 4 orë, është pranuar kandidatja Ajshe Berisha.
Ajshe Berisha është bashkëshortja e Gent Berishës, fotograf i komunës dhe kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit.
Jo vetëm , Gent Berisha që nga e kaluara ka qenë aktivist i Vetëvendosjes.
Këtë e dëshmojnë edhe fotot që ai ka ndarë në profilin e tij në Facebook.
Në vitin 2021, kryetari Alban Hyseni kishte ndarë një foto, ku shkruante “Aktivistët e Lëvizjes, e kuqja po vjen”. Në foto shihet edhe Gent Berisha.
Gent Berisha, jo vetëm që ka shoqëri me kryetarin e Gjilanit, por ai duket se ka simpati edhe për akterët e lartë të Vetëvendosjes.
Me një shtator ai kishte publikuar një foto ku shihen të afërt me Ministrin Xhelal Sveçla. “Qe valla ju…!”, ishte mbishkrimi i fotos.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me Gent Berishën, se a ka pasur ndonjë ndikim që të punësohet bashkëshortja e tij në këtë pozitë, por i njëjti, deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur.
Gazeta Insajderi javë më parë, ka dërguar pyetje në komunën e Gjilanit dhe Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, lidhur me këto punësime, por të njëjtit, nuk janë përgjigjur deri më tani.
Në komunën e Gjilanit tash e disa javë është duke pasur reagime edhe nga opozita, të cilët kanë hedhur akuza për punësime partiake e familjare./Insajderi.org/