Profesoresha, Luljeta Plakolli, ka folur për deputeten Duda Baljen dhe detyrën e saj si kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe kundërshtimin e saj që ka për Projekt-Kodin Civil.
Plakolli ka deklaruar se një person që mban pozita të tilla nuk duhet të vazhdojë të kryejë atë detyrë nëse nuk e kupton se si mbrohen të drejtat e njeriut.
“Është e rëndësishme që personat të cilët punojnë në pozita të tillë siç është rasti i deputetes në fjalë që është kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, të jenë avokatë të fuqishëm për të drejtat e njeriut, të gjithëve pa asnjë dallim sepse kjo është ideja. Në këtë rast, unë besoj që kryetarja e këtij Komisioni duhet të ketë angazhim shumë më të fortë dhe të çartë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe qytetarëve sepse nëse ky angazhim mungon ose ka anime nga grupet e caktuara, pa i lënë anash grupet tjera atëherë unë besoj që thirrjet e Shoqërisë Civile të të tjerëve janë mesë të logjikshme. Pra, nuk duhet të vazhdojë ta kryej atë detyrë nëse nuk e kupton mirë për çka është aty dhe çka janë, çka paraqesin të drejtat e njeriut dhe si duhet mbrojtur ato”, ka thënë ajo në njërin prej podcasteve të realizuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).