×
  • Lajme
  • Lajme

    “Nëse nuk mund ta mbështesni, lejeni rehat”- Kurtit i vjen një reagim pas deklaratave fajësuese ndaj Thaçit

    Insajderi
    01 December 2024 - 20:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklaratat e tij fajësuese për pararendësin e tij, Hashim Thaçin, lidhur me marrëveshjen në Bruksel që ndalon prezencën e FSK’së në katër komunat veriore të Kosovës.

    Çitaku me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se nëse Thaçin nuk arrini ta mbështesni – i cili ndodhet në Hagë në bankën e të akuzuarve – lejeni rehat, shkruan Insajderi.

    “E Hashim Thaçin, nëse nuk mund ta mbështesni, lejeni rehat. Sot ai është në betejë për historinë dhe të ardhmen tonë”, ka deklaruar ndër të tjera Çitaku.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media lidhur me sulmin në kanalin e Ibër Lepencit tha se nuk mund ta parandalonin atë për shkak të ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

    “Në veriun e Kosovës jemi të hendikepuar, meqë ushtria jonë që nga zotimi i ish-kryeministrit Thaçi nuk mund të shkojë në veri të Ibrit dhe në këtë mënyrë atje nuk është situata sikurse në pjesë të tjera të vendit. Imagjinata demokratike nuk arrin gjithmonë ta përthekojë imagjinaten kriminale terroriste, këso sulmesh iu ndodhin edhe vendeve të zhvilluara demokratike perendimore, madje do thosha më shumë se tek ne”, deklaroi ai.

    Më tutje Kurti tha se nuk i pëlqen marrëveshja që kishte bërë Thaçi më 2013 në Bruksel.

    “Ne po e respektojmë letrën e pararendësit tim, ndonëse unë as s’e kam mirëpritur e as s’më pëlqen, por e respektojmë, Në veri kemi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës. A do të ishte më mirë, më sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, por ne respektojmë atë zotim të pararendësit”, është shprehur ai.

    “Këso sulmesh u ndodhin edhe vendeve demokratike-perëndimore, madje do të thosha edhe më shumë se neve. Por imagjinata terroriste-kriminale e sponsorizuar nga një shtet që është më i madh sesa i yni e me traditë të gjatë e të gjerë të kësoj lloj sulmesh, e që e ka aleat të ngushtë Federatën Ruse, e kanë bërë këtë gjendjen në të cilën ne ndodhemi”, u shpreh Kurti.

    Rikujtojmë se Kurti edhe në rastet e mëhershme të krizave nga veriu ka tentuar të fajësojë atë që ai e quan “marrëveshja e Thaçit-Daçiq”, e cila ndalon prezencën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në katër komunat veriore. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark