Koalicioni opozitar do të quhet “Shqipëria fiton” dhe do të regjistrohet në KQZ nesër. 25 shkurti është edhe afati i fundit që koalicionet parazgjedhore të regjistrohen në KQZ.
Koalicioni me numrin më të madh të partive në këto zgjedhje pritet të jetë ai i udhëhequr nga Partia Demokratike. Por kur na ndajnë afro 24 orë nga përfundimi i këtij afati, Basha ende nuk i ka përmbyllur marrëveshjet me të gjithë aleatët e tij.
Mbetet ende për t’u zyrtarizuar marrëdhënia që PD do të ketë me Partinë Republikane të Fatmir Mediut dhe me PDIU-në e Shpëtim Idrizit, raporton euronews.al.
Gjatë këtyre ditëve në selinë blu janë zhvilluar takime të shumta mes PD-së dhe aleatëve të saj, por ende nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare me këto dy parti për numrin e kandidatëve që do të kenë në listë.
Ndërkohë, Lulzim Basha e ka arritur dakordësinë me Agron Dukën e Partisë Agrare, i cili do të jetë në listën e Durrësit, Dashamir Shehin që do të jetë në listën e Tiranës dhe Nard Ndokën që do të kandidojë në Shkodër.