Gjykata Themelorë në Prishtinë ka caktuar për nesër seancën fillestare ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë për kryerjen e veprës penale terroriste.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i të akuzuarit Frashër Krasniqit, Tomë Gashi.
“Nesër më 28 shkurt 2017, në orën 13.00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë është caktuar seanca fillestare kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, klientit tim z.Frashër Krasniqi, dhe aktivistëve të tjerë z.Atdhe Arifi, z.Egzon Haliti dhe znj.Adea Batusha”, ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në Facebook.
Gashi e ka quajtur gjykim politik, pasi që sipas tij, të gjitha provat e dëshmojnë pafajësinë e aktivistëve të Vetëvendosjes.
“Ky është gjykim haptazi politik dhe të gjitha provat e siguruara nga Prokuroria e vërtetojnë pafajësinë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se rast i njëjtë politik ka ndodhur edhe me rastin e akuzimit dhe gjykimit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Trim Gashit, kinse për sulm ndaj eskortës së kryeministrit, ndërsa është liruar i pafajshëm nga e njëjta Gjykata Themelore në Prishtinë, që e ka mbajtur në paraburgim për gjashtë muaj./Insajderi.com